Shkrimtari dhe sociologu serb Stefan Simiq, një nga autorët më të ndjekur në rrjetet sociale në rajon, ka reaguar ashpër ndaj fyerjeve antishqiptare që dëgjohen në protestat kundër Aleksandar Vuçiqit.
“Vuçiqi nuk është shiptar, Vuçiqi është hajn. Edhe sikur të ishte shqiptar, çfarë do të ndryshonte? Asgjë”, shkruan Simiq në një postim në Facebook, që brenda një dite mori mbi 3.500 pëlqime dhe qindra komente e shpërndarje.
Ai thotë se në protesta dëgjohet vazhdimisht thirrja “Vuçiq, sh…!” në vend të “Vuçiq, hajn!”. Fjala “shiptar” përdoret në Serbi si term përçmues për shqiptarët. “Kështu nuk e fyejmë Vuçiqin. I fyejmë shqiptarët”, shkruan ai.
Simiq, i lindur në Paraqin dhe që prej vitesh me banim në Beograd, boton çdo ditë poezi, prozë dhe tekste kritike për shoqërinë në rrjetet sociale, ku ka një numër të madh ndjekësish. Ai ka botuar disa libra dhe ka mbajtur mbrëmje letrare në shumicën e qyteteve të ish-Jugosllavisë.
“Nuk luante, por jetonte rolin, deri në fund”
Sipas Simiqit, me këto thirrje fyhen Bekim Fehmiu dhe shumë njerëz të ndershëm me prejardhje shqiptare. Ai shkruan se vështirë se ka pasur aktor më të ndershëm e më të madh se Fehmiu, i cili nuk luante, por jetonte rolin deri në fund, dhe ashtu edhe jetoi.
Ai kujton se Fehmiu e ndërpriste xhirimin derisa të paguheshin të gjithë, nga i pari deri te anëtari i fundit i ekipit, dhe se u tërhoq herët nga aktrimi për shkak të padrejtësisë, me fjalët: “Nuk mund të luaj, ndërsa popujt e mi vriten.”
Simiq rikujton edhe një episod nga studimet. Aktori i njohur serb Bata Stojkoviq i kishte sharë Fehmiut “nënën shiptare”. Herën e parë Fehmiu e paralajmëroi. Kur Stojkoviqi e përsëriti, e rrëzoi me grusht. “Dhe më kurrë nuk i shkoi ndërmend”, shkruan Simiq.
“Serbia edhe sot bën të njëjtin gabim. Në vend që të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore, e shpallim një komb të tërë të keq e të ndyrë, për ta ngritur veten”, shkruan ai.
Shkrimtari serb kujton se shqiptarë ishin edhe aktorët Faruk Begolli e Enver Petrovci, si dhe futbollisti legjendar Xhevat Prekazi, i cili ndërroi jetë më 8 nëntor. “A janë ata të këqij për shkak të prejardhjes së tyre? Nuk janë”, shkruan ai.
“Argumenti? Ngjajnë”
Simiq hedh poshtë edhe thashethemet që qarkullojnë në Serbi, sipas të cilave babai i Vuçiqit është gazetari Fahri Musliu. Me ironi, ai shkruan se i vetmi argument për këtë është se “ngjajnë”.
“Si mund të jetë Fahriu babai i tij, kur ai erdhi në Beograd për studime më 1972, ndërsa Vuçiqi lindi më 1970? Si, kur nënën e Vuçiqit, mes qindra kolegeve dhe gazetareve, e takoi për herë të parë vetëm më 1985, kur Vuçiqi ishte tashmë pesëmbëdhjetë vjeç?”, shkruan Simiq.
Ai tregon se Musliu ka shkruar një libër voluminoz për Bekim Fehmiun, ishte ndër frymëzuesit e filmit për jetën e tij dhe në libër përfshiu edhe disa nga tekstet e Simiqit për aktorin. Simiq thotë se e ka pyetur drejtpërdrejt për farefisninë e supozuar. Sipas tij, Musliu i tha se ky trillim i shkatërron jetën atij dhe familjes së tij. “Një njeriu të tillë fjalë për fjalë i vihet shenjë në ballë”, shkruan Simiq.
Sipas tij, nëse dikush nuk ka asnjë lidhje me politikën e Vuçiqit, ai është Musliu. Simiq e përshkruan si jugosllav dhe paqebërës, si të kundërtën e plotë të asaj që Vuçiqi përfaqëson që nga vitet ’90. “Çfarë lidhje ka ai me njeriun që bënte thirrje për njëqind myslimanë për një serb?”, pyet Simiq, duke aluduar në deklaratën e njohur të Vuçiqit të vitit 1995.
“Sepse kombësia e dikujt nuk dëshmon asgjë. As mirësinë. As të keqen. As ndershmërinë. As hajdutërinë”, shkruan ai.
Simiq u bën thirrje bashkëqytetarëve të tij të mos turpërohen. Sipas tij, nëse duan të dallohen nga tabloidet dhe nga turma që beson gjithçka që lexon, duhet të ndalojnë së tërhequri njerëz të pafajshëm në histori pa kurrfarë logjike. Postimin e mbyll me fjalët: “Shqiptari nuk është fyerje. Hajni po.”
Homazhi për Prekazin
Në një postim tjetër, Simiq i kushtoi një homazh të gjatë Xhevat Prekazit. Ai e quajti atë, krahas Bekim Fehmiut, simbolin më të madh të shqiptarëve të Kosovës në Jugosllavi, dhe shkroi se muajt e fundit kishin kaluar shpesh kohë bashkë. “Si mund t’i urresh shqiptarët dhe ta duash Xhevat Prekazin apo Bekim Fehmiun? Kjo është thjesht e pamundur”, shkroi Simiq.
Prekazi, i lindur në Mitrovicë më 1957, luajti për Partizanin e Beogradit nga 1976 deri më 1983. Më pas luajti për Hajdukun e Splitit dhe për Galatasarain, me të cilin fitoi dy tituj kampioni të Turqisë, në sezonet 1986–87 dhe 1987–88. Ai ndërroi jetë në moshën 69-vjeçare.
