Kryeministri Albin Kurti deklaroi se trysnia ndërkombëtare mbi Serbinë që mbron e glorifikon kriminelët, fsheh e mohon krimet teksa vazhdon me mendësinë e viteve të ’90-ta, është e vetmja mënyrë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë dhe për t’i dhënë shans drejtësisë.
Ai këto komente i bëri gjatë një vizite sot në Marinë dhe Llaushë të Skenderajt te familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, pjesë e Grupit të Intelektualëve, të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë nga forcat e armatosura të Serbisë në prill 1999, ndërsa mbetjet mortore u gjetën në varrezën masive në Zubin Potok dhe u identifikuan javë më parë nëpërmjet ADN-së.
“Këto dy familje, sikur ajo e Adem Beqirit, i cili u varros më 3 tetor, kanë marrë përgjigje, por kanë nevojë për drejtësi. Për më të dashurit e më shumë se 1500 personave tjerë ende të zhdukur nga lufta e fundit, dhimbja është tejet e madhe, ndërsa pritja përplot ankth”, tha Kurti.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 shtator 2026, ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë personave, të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas dyshimeve të paraqitura në kërkesën e Prokurorisë Speciale, D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R dhe D.D dyshohen për pjesëmarrje në vrasjen dhe zhdukjen e 23 civilëve në Zubin Potok.
Ata u arrestuan më 27 shtator 2026 në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”. Arrestimet janë kryer në kuadër të operacionit të koduar “Dosja 23” në lidhje me rastin e njohur si Grupi i intelektualëve.
Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), më 29 korrik 2026, ka publikuar raportin preliminuar për numrin e viktimave të luftës së fundit.
Sipas këtij raporti, janë të paktën 13 mijë e 227 njerëz që janë vrarë, zhdukur me dhunë ose kanë vdekur si pasojë e luftës, nga periudha 1 janar 1998-31 dhjetor 2000.
