Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Institutin për Mjekësi Ligjore (IML), ku janë bartur mbetjet mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kurti ka bërë të ditur se mbetjet mortore janë gjetur në tri lokacione në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, në komunën e Zubin Potokut.
Në një muaj nga fillimi i gërmimeve, sipas Kurtit, procesi tashmë ka kaluar në fazën e ekzaminimeve dhe procedurave profesionale për identifikimin dhe dokumentimin e mbetjeve.
Ai njoftoi se deri më tani, katër mostra të ADN-së nga mbetjet mortore të gjetura në Jabukë janë dërguar për analizë në Hagë.
“Që nga përfundimi i luftës janë kryer rreth 2700 gërmime, e vetëm këtë vit nga 17 sosh janë gjetur gjithsej 30 mbetje mortore”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë, përveçse u jep fund pritjeve të gjata të familjeve, krijon edhe mundësi për kërkimin e drejtësisë.
Gjatë vizitës në IML, Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, është njoftuar edhe për investimet në modernizimin e këtij institucioni.
Ai tha se mbi 814 mijë euro janë investuar në modernizimin e infrastrukturës së IML-së, rritjen e sigurisë dhe funksionalitetit të objektit, si dhe krijimin e kushteve më të mira për ofrimin e shërbimeve mjekoligjore.
Sipas Kurtit, janë rehabilituar dhe modernizuar salla e autopsisë dhe laboratorët e toksikologjisë, histopatologjisë dhe antropologjisë. Po ashtu, është krijuar një arkiv modern dhe hapësirë e përshtatshme për ruajtjen e dëshmive, ndërsa janë bërë investime edhe në hapësirat për ekzaminime klinike mjekoligjore.
