Aktuale

“Po, Klevi është im bir!”, gazetarja e njohur thyen heshtjen pas përleshjes së 24-vjeçarit me 6 policë: E pashë të gjakosur, mos na i vrisni fëmijët!

Brikena Metaj ka reaguar publikisht pas pamjeve të dhunës gjatë protestave, duke konfirmuar se 24-vjeçari Klevi Metaj është djali i saj. Në një mesazh emocional, gazetarja e News24 rrëfen shqetësimin e përjetuar si nënë, ndërsa dënon dhunën si nga policia, ashtu edhe nga protestuesit.

“Po, Klevi është im bir”, shkruan ajo në një postim në rrjetet sociale, duke treguar se djali i saj është një 24-vjeçar me ëndrra dhe ideale për një shoqëri të ndërtuar mbi barazinë dhe vlerat njerëzore. Brikena shprehet se ka parë pamjet e djalit të saj të gjakosur, i vetëm mes gjashtë punonjësve të policisë, pa pasur mundësi t’i gjendej pranë.

“Sot shkruaj si një nënë që ka parë videot e djalit të vet të gjakosur, i vetëm mes gjashtë policëve, pa pasur mundësi ta ndihmojë dhe t’i gjendet pranë, ndërsa zemra më dridhej”.

Në reagimin e saj, Metaj ngre shqetësimin për mënyrën se si janë trajtuar të rinjtë gjatë protestave, duke përshkruar skena që, sipas saj, tregojnë përdorim të pajustifikuar të forcës nga policia.

“Si mund ta durojë zemra e nënës skenën ku pesë policë e mbajnë djalin nga krahët, ndërsa tjetri e gjuan me shkop gome në kokë?”, shkruan ajo. Më tej thekson se dhuna nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë, veçanërisht kur një person është neutralizuar dhe nuk përbën më rrezik.

“Asgjë, asgjë në botë nuk e justifikon këtë dhunë”, shprehet gazetarja, duke u bërë thirrje punonjësve të policisë të respektojnë dinjitetin dhe jetën e çdo qytetari.

Megjithatë, nëna e 24-vjeçarit distancohet edhe nga dhuna ndaj efektivëve të policisë dhe shkatërrimi i pronës publike.

“Mos godisni policët! Mos shkatërroni pronat që paguhen me taksat tona, me djersën dhe mundin tuaj e të prindërve tuaj! Edhe policët kanë nëna, kanë familje që presin kthimin e tyre në shtëpi”, thekson ajo. Nw fund gazetarja Brikena Metaj përcjell një mesazh për të gjithë prindërit dhe të rinjtë që marrin pjesë në protesta.

“Mos na i vrisni fëmijët! Asnjë protestë nuk duhet të na kushtojë jetën e tyre. Duam t’i presim të kthehen në shtëpi, jo t’i kërkojmë në spitale”, përfundon ajo.

Të Ngjashme