Lajme

Kusari-Lila kritikon opozitën: Veprimet politike po udhëhiqen nga mllefi dhe emocionet

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar ashpër opozitën për qasjen e saj në situatën aktuale politike dhe për refuzimin e takimeve me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Ajo ka thënë se veprimi politik dhe kauza duhet të kenë një bashkërendim logjik, duke vlerësuar se në të kundërtën politika shndërrohet në veprim kaotik, të udhëhequr nga mllefi dhe emocionet.

Kusari-Lila ka komentuar edhe incidentin e sotëm në Kuvend, ku deputetja e AAK-së, Time Kadriaj hodhi vezë në drejtim të Kurtit, duke e cilësuar këtë si një veprim që tregon se nervoza politike ka kaluar përtej kontrollit dhe logjikës.

Sipas saj, Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe kjo, siç ka shkruar, mund të arrihet vetëm përmes dialogut, kompromisit dhe votës në Kuvend, e jo përmes refuzimit të takimeve, kushtëzimeve apo veprimeve që degradojnë debatin politik.

Postimi i plotë: 

Veprimi politik dhe kauza duhet të kenë bashkërendim logjik. Por kur njëra kundërshton tjetrën, e kupton se nuk ka kauzë dhe se veprimi politik bëhet kaotik, i udhëhequr nga mllefi, emocioni dhe gjuha vullgare, që dëshmojnë instinktin e pakontrolluar dhe mungesën e një qëllimi të qartë.

Kjo ishte, fatkeqësisht, opozita jonë mbrëmë dhe sot.

Mbrëmë, dy parti opozitare e refuzuan disa herë ftesën për takim nga Kryeministri Kurti, ndërsa tjetra kërkon shumë më tepër sesa ua besuan votuesit e këtij vendi, por njëkohësisht kërkon me ngulm konstituimin e Kuvendit.

Dmth., ne nuk vijmë të flasim, por ejani ju dhe votoni, sepse na duhen institucionet.

Ndërsa sot, edhe përmes veprimit politik të një deputeteje, e cila, siç u dëgjua, nuk e kishte informuar as grupin e saj parlamentar, u kalua në sulm fizik ndaj Kryeministrit me vezë. Ishte një moment surreal, që dëshmoi se nervoza kishte kaluar përtej kontrollit dhe logjikës së veprimit politik.

Nuk kam çfarë të shtoj për veprimin e deputetes, përveçse të uroj që të jetë qetësuar pas atij momenti dhe që, bashkë me grupin e saj parlamentar, të arrijnë të kuptojnë se me praninë dhe votimin e tyre për konstituimin e institucioneve mund të kontribuojnë shumë më dobishëm për vendin sesa me veprime të tilla.

Dialogu dhe takimet mes liderëve politikë mbeten mekanizmi i vetëm serioz për çbllokimin e kësaj situate. Çfarëdo paralele me të kaluarën, justifikim i situatës apo përpjekje për ta bartur përgjegjësinë te të tjerët nuk e ndryshon faktin themelor: vendi ka nevojë për institucione funksionale, ndërsa kjo arrihet përmes dialogut, kompromisit dhe votës në Kuvend, jo përmes refuzimit të takimeve, kushtëzimeve të njëanshme dhe veprimeve që degradojnë debatin politik.

Të Ngjashme