Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot 2 seanca plenare, ku pritet të shqyrtohen çështje të rëndësishme.
Në orën 10:00 do të vazhdojë seanca plenare, ku në rend dite është rishqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ndërkaq, në orën 11:00 është caktuar të fillojë seanca tjetër plenare, me 12 pika të rendit të ditës.
Një nga çështjet kryesore të kësaj seance është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe vendimin e Qeverisë për masat emergjente për furnizimin me energji, të datës 16 nëntor 2026.
Në rend dite janë gjithashtu shqyrtimi i parë i Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë dhe ai për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Po ashtu, parashihet zgjedhja e 4 anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe shqyrtimi i rekomandimit për shkarkimin e 4 anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në rend dite është edhe propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
