Një aksident i rëndë trafiku ka përfunduar tragjikisht mbrëmë në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku një 38-vjeçar ka humbur jetën pas përplasjes mes një kamioni dhe një veture Audi A6, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Sherif Hoti, rreth 38-vjeçar, nga Bradashi i Podujevës, i cili në momentin e aksidentit po drejtonte kamionin Mercedes.
Aksidenti ka ndodhur më 26 gusht, rreth orës 20:25, në kilometrin e 29-të të autostradës, në drejtimin Gjergjicë–Vërmicë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në aksident janë përfshirë kamioni që drejtohej nga Hoti dhe një Audi A6 me targa të huaja, të cilin dyshohet se po e drejtonte A.F., rreth 22-vjeçar nga Prizreni, me vendbanim në Gjermani.
Përplasja ka qenë fatale për 38-vjeçarin.
Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet emergjente, por Hoti nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve. Vdekja e tij është konstatuar në vend nga mjeku i QMF-së në Suharekë.
Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar edhe dy persona që ndodheshin në veturë, të cilët janë transportuar me autoambulancë për trajtim mjekësor. Sipas informacioneve fillestare, gjendja e tyre është stabile dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetë.
Në vendin e aksidentit kanë dalë njësitë patrulluese, hetuesit policorë, ekipet përgjegjëse për mirëmbajtjen e autostradës, si dhe Prokurorja kujdestare.
Me urdhër të Prokurores së Shtetit, trupi i pajetë i Sherif Hotit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet për aksidentin po vazhdojnë, ndërsa pritet të përcaktohen rrethanat dhe dinamika e saktë që çuan në përplasjen fatale.
Sherif Hoti humbi jetën në moshën 38-vjeçare, në një tjetër aksident tragjik që iu shtua bilancit të rëndë të ngjarjeve në rrugët e Kosovës.
