Aktuale

Lajm i mirë për të gjithë ata që jetojnë me qira/ Kredi pa interes për të blerë shtëpi, zbardhen përfitimet e projektligjit të ri

Kredi me interes zero për blerjen e një banese, subvencionim i gjysmës së qirasë për studentët e masterit dhe profesionistët, si dhe mundësia që pagesat e qirasë të llogariten për blerjen e shtëpisë.

Këto janë disa nga ndryshimet që parashikon projektligji i ri për strehimin social, i prezantuar nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.

Sipas Ibrahimajt, synimi është që më shumë familje, veçanërisht çiftet e reja dhe profesionistët, të kenë mundësi të sigurojnë një banesë në përputhje me të ardhurat e tyre.

“Ne kemi vendosur ta zgjerojmë politikën tonë me strehimin e përballueshëm dhe duam që më shumë familje të kenë një mundësi që i përshtatet të ardhurave dhe nevojave të tyre”, tha ministrja.

Kredi me interes zero, sa do të jetë kësti mujor?

Për të treguar se sa mund të kursejnë familjet nga kreditë me interes zero, Ibrahimaj solli shembullin e një kredie prej 6 milionë lekësh me afat shlyerjeje 30 vjet.

Sipas saj, me interes zero, kësti mujor do të ishte rreth 17 mijë lekë, ndërsa me interes 5% do të arrinte në 32 mijë lekë. Diferenca është 15 mijë lekë në muaj.

“Pra, janë 15.000 lekë në muaj të cilat nuk do të shkojnë për blerjen e një banese, por do të shkojnë më shumë në buxhetin e familjes shqiptare për të përballuar kostot e tjera të jetesës dhe për të përballuar blerjet e produkteve të shportës”, u shpreh Ibrahimaj.

Gjysma e qirasë për studentët dhe mundësia për ta blerë banesën

Një tjetër ndryshim lidhet me studentët që ndjekin studimet master dhe profesionistët. Për këto kategori, projektligji parashikon subvencionimin e 50% të qirasë, bazuar në çmimet e miratuara nga këshillat bashkiakë. Po ashtu, prezantohet programi i qirasë me të drejtë blerjeje. Përmes kësaj skeme, familjet do të kenë mundësi që një pjesë e pagesave mujore të qirasë t’u zbritet nga çmimi i blerjes së banesës.

Projektligji parashikon edhe mekanizma garancie për financimin e parapagimit të banesave.

Si do të ndahen banesat në lagjet e reja?

Ministrja prezantoi edhe modelin 30-40-30 për ndërtimin e lagjeve të integruara. Sipas këtij modeli, 30% e banesave do të përdoren për strehim social, 40% për strehim të përballueshëm dhe 30% do të shiten ose jepen me qira në tregun e lirë.

Për financimin e programeve do të krijohet Fondi për Strehimin dhe Kohezionin Social, ku do të bashkohen para nga buxheti i shtetit, sektori privat dhe burime të tjera të ligjshme. Të ardhurat nga projektet e banimit do të mund të përdoren për financimin e programeve të reja.

31 mijë familje kanë përfituar nga programet e strehimit

Duke bërë një bilanc të zbatimit të ligjit për strehimin social që prej vitit 2018, Ibrahimaj tha se nga programet ekzistuese kanë përfituar 31 mijë familje, ose rreth 100 mijë qytetarë.

Sipas shifrave të paraqitura nga ministrja, mbi 14 mijë familje janë ndihmuar me pagesën e qirasë, mbi 7 mijë kanë përfituar kredi të buta, janë ndërtuar mbi 1 mijë banesa sociale dhe janë përmirësuar kushtet e banimit për më shumë se 6 mijë familje.

“Do të mbështesim më shumë familje dhe do të krijojmë një mundësi më shumë për familjet e reja, për profesionistët e rinj, me qëllim që ata të zgjedhin dhe të jenë të sigurt për jetesën e tyre në Shqipëri”, deklaroi Ibrahimaj.

Të Ngjashme