Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe një prej datave më emblematike të historisë shqiptare, biznesmeni dhe filantropi i njohur shqiptar, Lazim Destani, ka përcjellë një urim me mesazh të fuqishëm për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.
“Gëzuar 28 Nëntorin!
Qofshim gjithmonë të bashkuar dhe krenarë për identitetin tonë!”, ka shkruar Destani, duke përcjellë urimin e tij në këtë ditë që simbolizon historinë, sakrificën, lirinë dhe krenarinë kombëtare.
Por, Destani edhe në evente të ndryshme , gjithmonë ka një mesazh që shkon përtej një date kalendarike. Gjithmonë me një thirrje për përgjegjësi, bashkim dhe përkushtim ndaj së ardhmes së kombit.
Siç e thotë shpeshëherë : Secili brez ka përgjegjësinë e vet ndaj atdheut, kudo e kahdo që të jetë. Ata para nesh na e lanë flamurin të lirë. Ne u detyrohemi fëmijëve tanë t’u lëmë një shtet të fortë, një shoqëri të bashkuar, kurrë të përplasur në mes vete
I njohur për veprimtarinë e tij në biznes, filantropi dhe angazhimin në çështje me interes kombëtar, Lazim Destani ndër vite ka dhënë kontribut në fusha të ndryshme, duke mbështetur zhvillimin ekonomik, afirmimin e identitetit shqiptar dhe lidhjen e shqiptarëve kudo në botë.
Mesazhet e tij nuk kufizohen vetëm në ditët festive. Në vazhdimësi, ai ka përcjellë idenë se dashuria për atdheun nuk matet vetëm me fjalë e deklarata, por me përgjegjësinë dhe veprat që secili lë pas.
Dhe pikërisht në 28 Nëntor, mesazhi i tij tingëllon si një amanet për brezat: të ruajmë flamurin, të forcojmë shtetin dhe të mos lejojmë që përçarjet të na largojnë nga njëri-tjetri.


