Lajme

LDK-ja “tronditet” nga koalicioni me PDK-në / Bytyçi paralajmëron përplasje të forta mes Ramës, Abdixhikut dhe Osmanit

Zhvillimet e fundit në Prishtinë, pas afrimit të kryetarit të komunës me PDK-në, kanë rikthyer vëmendjen te raportet brenda LDK-së dhe sidomos te dinamika mes Përparim Ramës dhe Lumir Abdixhikut.

Këto zhvillime po shihen si një test për unitetin e qëndrimeve brenda partisë dhe për mënyrën se si ajo po i menaxhon aleancat dhe distancimet politike në nivel lokal, veçanërisht në një periudhë të ndjeshme para zgjedhjeve.

E për këtë temë, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi, i cili u shpreh se koalicioni me PDK-në në kryeqytet nuk është qasje taktike elektorale, por një përçarje e madhe në LDK.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, kjo ka të bëjë edhe me rikthimin e Osmanit në LDK dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e 7 qershorit, si dhe se ishte një lëvizje e qëllimshme e Përparim Ramës.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shpejtoi para pak ditësh që të reagojë dhe të përgënjeshtrojë se bën pjesë në skenarin e një koalicioni të kësaj partie me Partinë Demokratike të Kosovës në kryeqytet, Prishtinë. Menjëherë sapo Përparim Rama njoftoi vendimin e tij për lidhjen e marrëveshjes LDK–PDK në Prishtinë, zoti Abdixhiku tha se kjo marrëveshje aleance nuk është dakorduar me kryesinë dhe kryetarin e partisë. Ju pyesni me të drejtë pse ndodhi kjo? Është shprehje e një mospajtimi midis Përparim Ramës dhe Lumir Abdixhikut, apo një diferencim strategjik? Ka të bëjë me imazhin, apo është rrezik për përçarje?

Në optikën time kemi të bëjmë më shumë me një përçarje në radhët e Lidhjes Demokratike, sesa me një qasje taktike elektorale të saj. Pse ndaj këtë opinion? Sepse marrëveshja e qeverisjes së përbashkët të këtyre dy partive në kryeqytet u nënshkrua një ditë pas vendimit të kryesisë së LDK-së për ta pranuar Vjosa Osmanin si fraksion të kësaj partie në zgjedhjet e 7 qershorit. Logjikisht, një marrëveshje si kjo vetëm një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme nuk do të mund të realizohej, nëse kemi parasysh se opinioni publik do të reagojë negativisht dhe do ta ndëshkojë këtë parti për këtë fakt. Kryetari i komunës së Prishtinës mund të priste katër javë dhe ta realizonte qeverisjen me PDK-në pas zgjedhjeve. Por nuk e bëri këtë”, deklaroi ai.

Sipas Bytyçit, koalicioni LDK–PDK është një përgjigje e revoltuar e Ramës ndaj Abdixhikut dhe rikthimit të Osmanit.

Ai vlerëson se kryetari i Prishtinës kishte në plan të vinte në pozitën e kreut të partisë, por rikthimi i ish-presidentes i prishi kalkulimet e tij.

Ndaj them se marrëveshja e koalicionit të qeverisjes në kryeqytet nga dy partitë ‘e dashuruara’ në qeverisjen qendrore është një përgjigje e revoltuar e Përparim Ramës. Kjo, sepse ai ishte projektuar si pasardhës i Lumir Abdixhikut në LDK, ndërkohë që afrimi i Vjosa Osmanit ia prish skemën në fjalë. Për ta kundërshtuar prishjen e skemës, ai veproi menjëherë. I dëshmoi kreut të partisë së tij se Rama është aq i fuqishëm, sa nuk pyet dhe madje i kushtëzon marrëdhëniet e tij me kreun e partisë në mënyrë detyruese. Dikush ia ka ofruar Përparim Ramës vendin e kreut të LDK-së. Ai e lakmon këtë post, sepse e di se nuk mund të jetë gjatë në krye të komunës së Prishtinës. Nëse Hajrullah Çeku do të ishte prishtinas, sot Përparim Rama nuk do të ishte kryetar i Prishtinës. Dmth ai nuk është aspak i sigurt për postin që mban”.

Më tej, profesori zbërtheu prapaskenat e vendimit të Ramës për koalicion me PDK-në, që sipas tij lidhen me synimet për të ardhmen e tij politike.

Megjithatë, ai vlerëson se Rama është nxituar në lojërat e tij politike për ta dëmtuar partinë, gjë e cila e ka zemëruar Abdixhikun dhe Osmanin po ashtu.

“Atëherë cila është alternativa e tij? Të ngjitet në krye të Lidhjes Demokratike. Por ardhja e Vjosa Osmanit ia ndërpret këtë ëndërr. E lë pa punë dhe ai nuk duron të qëndrojë rrugëve të Prishtinës. Ngjitja në krye të Lidhjes Demokratike shihet nga Përparim Rama si e vetmja rrugëdalje për karrierën e tij politike. Kësisoj ai u përpoq ta dëmtojë këtë parti. Dhe, mjerisht, do ta dëmtojë. Nëse ia arrin ta dështojë Lumir Abdixhikun në zgjedhjet e 7 qershorit, Përparim Rama do të bëjë gjithçka për ta ndëshkuar atë si dështak dhe për t’ia marrë postin që ka. Nëse nuk e bën këtë sot, Rama nuk mund ta bëjë kurrë më në të ardhmen. Vjosa Osmani forcohet në fushatat e ardhshme elektorale brenda Lidhjes Demokratike. Prandaj numri një i Prishtinës ngutet në lojërat e tij politike për ta dëmtuar partinë që e ka propozuar dhe mbështetur për detyrën që ai ka sot.

Për këtë arsye Lumiri nuk mund të jetë i lumtur me këtë hap të rivalit të tij. Por nuk mund të jetë e kënaqur as zonja Osmani, sepse ajo sheh se rivalët e saj në LDK janë më shumë sesa rrethi i atyre që e dënojnë për largimin nga kjo parti. Në fakt Vjosën e largoi vetë partia e saj. Megjithatë, si çdo politikan, edhe Vjosa llogarit dhe dëshiron të ketë mbështetje të gjerë në këtë parti. Nuk i mjafton vetëm mbështetja e kryetarit, të cilën ajo gjithsesi e ka pasur vazhdimisht. Zonja Osmani rrezikohet seriozisht nga rivali i saj, Përparim Rama, madje më shumë sesa nga kryetari aktual, Lumir Abdixhiku”.

Në fund, profesori Bytyçi shtoi se koalicioni me PDK-në ia prish ekuilibrat LDK-së në zgjedhjet e qershorit.

Gjithashtu, ai thekson se një vendim i tillë rikthen në vëmendjen e qytetarëve, sidomos të anëtarëve të LDK-së, se qeverisja me partinë e Hashim Thaçit vazhdon ende.

Për pasojë, mund të thuhet se vendimi që Prishtina të qeveriset në koalicion të përbashkët LDK–PDK është një vendim që prish ekuilibrat e partisë në zgjedhjet e 7 qershorit. Është një vendim që rikthen në vëmendjen e qytetarëve, sidomos të anëtarëve të LDK-së, se qeverisja me partinë e Hashim Thaçit vazhdon ende. Është një kujtesë për ta se koherenca e Vjosa Osmanit nuk është stabile. Ajo nuk pranoi koalicionet e mëparshme të LDK-së me PDK-në dhe për këtë shkak u nda nga partia e saj. Tani, nëse ajo e pranon këtë marrëveshje, atëherë do të gjykohet për atë që po akuzohet, si politikane që i bën veprimet e saj sipas stinës politike.

Qëllimi i asaj marrëveshjeje, pra, është dhe mbetet ndëshkimi i koalicionit midis Lumirit dhe Vjosës dhe dëmtimi elektoral i këtyre dy liderëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Asnjë arsyetim tjetër taktik nuk mendoj se është i vlefshëm në këtë rast”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Të Ngjashme