Lidhja Demokratike e Kosovës, ndryshe nga partitë e tjera, pak para zgjedhjeve të 7 qershorit 2026 ka bërë të ditur edhe kandidaten e saj për presidente, Vjosa Osmani, krahas kandidatit për kryeministër, Lumir Abdixhiku. Ky zhvillim ka ngjallur reagime dhe komente të ndryshme në opinionin publik, duke u parë nga disa si një lëvizje strategjike politike për të forcuar pozicionin e partisë në garën zgjedhore.
E këtë çështje për “Bota sot” e komentoi publicisti Skënder Kapiti, i cili tha se kjo është vetëm një manovër politike për të tërhequr më shumë votues.
Sipas tij, me zyrtarizimin e saj si kandidate për presidente, Osmani vetëm sa po e shfrytëzon LDK-në për interesa personale, ndonëse beson se ajo nuk e ka mbështetjen që po mundohet ta paraqesë bashkë me Abdixhikun.
“LDK-ja për zgjedhjet e 7 qershorit 2026 ka paraqitur kandidaturën e saj për kryeministër me Lumir Abdixhikun, por edhe për presidente me Vjosa Osmanin. Kjo është bërë tërësisht me qëllim që, përmes kësaj politike, LDK-ja të mund të tërheqë sa më shumë votues, duke menduar — e madje duke mashtruar — se Vjosa ka mbështetje të madhe.
Por e vërteta po del sheshit se Vjosa Osmani vetëm sa e ka shfrytëzuar LDK-në për interesa personale dhe se ajo nuk ka besim publik, por as mbështetje reale në LDK, siç përpiqen të paraqesin ajo dhe Abdixhiku”, deklaroi ai.

Skënder Kapiti
Krahas kësaj, Kapiti vlerëson se Osmani është e “konsumuar politikisht” dhe se nuk beson se ajo do të arrijë të bëhet sërish presidente.
Madje, sipas tij, më mirë do të ishte që ajo, pas përfundimit të mandatit si presidente, të tërhiqej nga politika.
“Vjosa tashmë është e konsumuar politikisht, deri në atë masë sa as në Partinë ‘GUXO’ nuk e pranuan, por ajo u rikthye te LDK-ja me qëllim që ta shfrytëzojë atë përsëri, vetëm për të siguruar një mandat deputeti për mbijetesë personale politike.
Një gjë është e sigurt: ajo kurrë më nuk do të bëhet presidente.
Do të kishte qenë më mirë për të që, pas postit jopolitik të presidentes, të ishte tërhequr nga politika dhe jo të “rikthehej” në politikë për ambicie personale.
Fakti që ajo u “dorëzua” politikisht te LDK-ja vetëm sa e bën më të shëmtuar “riaktivizimin” e saj.”
Ndër të tjera, opinionisti kritikoi LDK-në për kandidaturën e Osmanit, duke thënë se ky veprim tregon gjendjen ku ka rënë kjo parti, madje sipas tij ajo është “privatizuar” nga binomi Osmani–Abdixhiku.
“Pra, nga një post uniteti mbi politikën që ajo kishte, tani ka rënë poshtë miti i saj, pasi ajo paska qenë presidente politike. Kosova është republikë parlamentare dhe jo as gjysmëpresidenciale e as presidenciale, dhe si e tillë partitë politike nxjerrin kandidatura të mundshme për kryeministër, që mund të jetë kryetar partie ose jo.
Fakti që LDK-ja e ka Vjosën si kandidate për presidente tregon gjendjen mjerane ku ka rënë LDK-ja, tashmë e privatizuar nga binomi Osmani–Abdixhiku. Vjosa ndjehet e kënaqur si kandidate për presidente, sepse vuan nga verbëria politike tinëzare, nga egoja dhe deliri për pushtet, dhe për këtë i ka imponuar kusht LDK-së që ajo ta joshë me postin e presidentes në rast të një fitoreje në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 — gjë që tashmë opinioni publik në Kosovë e ka kuptuar”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.
