Analisti Lirim Gashi, ka reaguar rreth mosvotimit të nënkryetarëve, duke thënë se nuk e kupton kryeministrin Albin Kurtin, që sipas tij “vend që t’ua hapë lepujve derën për të dalë nga kurthi, ua përplas edhe dritaren në fytyrë.
“Ndonjëherë vërtet nuk e kuptoj Albinin. Sidomos kur më krijohet përshtypja se, në vend që t’ua hapë lepujve derën për të dalë nga kurthi, ua përplas edhe dritaren në fytyrë”, ka shkruar Gashi.
Ai ka përdorur metaforën e “lepujve” për të përshkruar disa nga figurat politike që, sipas tij, ndodhen në një situatë të vështirë politike.
Gashi ka ironizuar gjithashtu duke thënë se vendimi i Kurtit mund t’i shtyjë këta politikanë drejt një rruge që përfundon te presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Vendimi i tij i fundit për të mos i zgjedhur Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën si nënkryetarë të Kuvendit më duket si një shërbim goxha i çuditshëm që po ua bën disa lepujve të trembur”, ka shkruar ai.
Sipas Gashit, në vend që t’ua hapë rrugën për të dalë nga situata, Kurti po i drejton ata drejt një rruge ku “në fund të të cilit tashmë po i pret gjahtari Vuçiq”.
Në shkrimin e tij, Gashi përmend edhe deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke e lidhur atë me grupin e figurave politike që, sipas tij, po përballen me këtë situatë.
Në pjesën tjetër të shkrimit, Gashi paralajmëron se nëse bllokimi i institucioneve perceptohet nga qytetarët si përgjegjësi e Kurtit, atëherë zgjedhjet e reja mund të kenë pasoja politike për të.
“Dhe, Albin, këtu kemi edhe një problem tjetër. Nëse te qytetarët krijohet përshtypja se bllokimi i institucioneve është përgjegjësi e jotja, atëherë një kthim i sërishëm te kutitë e votimit nuk është më thjesht çështje politike”, ka shkruar ai.
Gashi e ka shoqëruar këtë argument me ironi, duke thënë se një situatë e tillë do të ishte rast për një vlerësim psikologjik dhe sociologjik të mënyrës se si qytetarët përballen me përsëritjen e zgjedhjeve dhe krizave institucionale.
Ai e ka quajtur këtë situatë “Demokracia rrethore”, duke e përshkruar si një cikël ku “populli voton, institucionet nuk formohen, politikanët ia hedhin fajin njëri-tjetrit, pastaj populli shkon përsëri në zgjedhje”.
Në fund, Gashi i ka bërë thirrje Kurtit që, para se ta çojë vendin sërish në zgjedhje, të marrë parasysh edhe mënyrën se si qytetarët e perceptojnë veprimet e tij.
“Sepse në politikë nuk mjafton të mos jesh fajtor. Duhet edhe të mos krijosh përshtypjen se je”, ka përfunduar Gashi.
Shkrimi i plotë:
Ndonjëherë vërtet nuk e kuptoj Albinin. Sidomos kur më krijohet përshtypja se, në vend që t’ua hapë lepujve derën për të dalë nga kurthi, ua përplas edhe dritaren në fytyrë.
Vendimi i tij i fundit për të mos i zgjedhur Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën si nënkryetarë të Kuvendit më duket si një shërbim goxha i çuditshëm që po ua bën disa lepujve të trembur:
Në vend që t’ua hapë rrugën për të dalë nga pylli, ai po i drejton butësisht drejt shtegut, në fund të të cilit tashmë po i pret gjahtari Vuçiq.
Dhe Vuçiqi, siç e dimë, nuk ka aspak inat me lepujt. Përkundrazi, i ka shumë për zemër. Aq shumë, sa do të donte t’i mbante vazhdimisht në shënjestër. Dashuria e tij për ta është, me sa duket, aq e madhe, saqë edhe vendin e nderit në skarë do t’ua rezervonte me kënaqësi.
Prandaj, Albin, zgjidhi. Mos u bëj merak për ta. Lëri të shkojnë vetë në skarën e Vuçiqit. Dhe, meqë janë nisur, le ta marrin me vete edhe motrën e Radoiçiqit, Hykmete Bajramin.
Sepse, kur lepujt vendosin të vrapojnë vetë drejt gjahtarit, detyra e një kryeministri nuk është domosdoshmërisht t’i shpëtojë prej tij.
Mjafton të mos ua mbajë edhe derën hapur.
Dhe, Albin, këtu kemi edhe një problem tjetër.
Nëse te qytetarët krijohet përshtypja se bllokimi i institucioneve është përgjegjësi e jotja, atëherë një kthim i sërishëm te kutitë e votimit nuk është më thjesht çështje politike. Do të ishte një rast i përshtatshëm për një vlerësim profesional psikologjik dhe sociologjik.
Sepse një popull mund të votojë dy herë, madje edhe tri herë. Por psikologët e dinë shumë mirë se vjen një moment kur njeriu nuk pyet më:
“Kush ka të drejtë?”
Por:
“Pse po ma bëni përsëri këtë?”
Sociologët, nga ana tjetër, do të kishin përpara një fenomen edhe më interesant për ta studiuar: si mundet një popull t’i votojë të njëjtët politikanë dhe pastaj të dërgohet përsëri në zgjedhje për të vendosur se kush është fajtor që institucionet nuk u formuan?
Kjo do të ishte një disiplinë e re e shkencës politike.
Unë do ta quaja:
Demokracia rrethore.
Populli voton. Institucionet nuk formohen. Politikanët ia hedhin fajin njëri-tjetrit. Pastaj populli shkon përsëri në zgjedhje.
Dhe në fund, të gjithë dalin fitues — përveç popullit, i cili përsëri duhet të votojë.
Prandaj, Albin, para se ta çosh vendin edhe një herë te kutitë e votimit, bëje një eksperiment të vogël.
Mos pyet vetëm nëse ke të drejtë, por edhe nëse qytetari do të bindet se ke të drejtë.
Sepse në politikë nuk mjafton të mos jesh fajtor.
Duhet edhe të mos krijosh përshtypjen se je.
Përndryshe, në zgjedhjet e ardhshme njerëzit mund të mos votojnë kundër teje sepse të urrejnë.
Mund të votojnë kundër teje sepse thjesht janë lodhur duke parë të njëjtin film — vetëm se këtë herë e dinë edhe fundin.
