Lajme

Maqedonci: Njohja e Kosovës nga Ukraina do të mundësonte më shumë bashkëpunim

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në konferencën për deminimin e Ukrainës, të mbajtur në Bruksel, ka prezantuar kontributin e Kosovës në pastrimin e minave dhe mbështetjen për Ukrainën.

Ai bëri të ditur se që nga viti 1999, Kosova dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë pastruar 62 milionë metra katrorë tokë, kanë shkatërruar 93 mijë mjete shpërthyese dhe u janë përgjigjur afro 10 mijë thirrjeve për asgjësimin e tyre.

Maqedonci theksoi se Kosova ka trajnuar 146 pjesëtarë të institucioneve ukrainase në fushën e deminimit, si dhe ka ofruar dy pako mbështetëse ushtarake dhe ka kontribuar në trajnimin e rekrutëve ukrainas në Britani.

Ai shprehu gatishmërinë e Kosovës për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës, duke theksuar se njohja e Kosovës nga Ukraina do të lehtësonte bashkëpunimin mes dy vendeve.

Fjala e plotë e ministrit të Mbrojtjes:

Adresimi im në Bruksel në kuadër të Ukraine Mine Action Conference (UMAC) organizuar nga Bashkimi Evropian dhe Ukraina, në partneritet me Mbretërinë e Belgjikës

Shkelqësia juaj, Kryeministër, ministra, zonja dhe zotërinj.

Që nga viti 1999, Republika e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë pastruar 62 milionë metra katrorë tokë, kanë shkatërruar 93 mijë mjete shpërthyese dhe u janë përgjigjur afro 10 mijë thirrjeve për asgjësimin e mjeteve shpërthyese.

Kjo përvojë është fituar pa asnjë pjesëtar të FSK-së të lënduar gjatë operacioneve të pastrimit të minave dhe mjeteve të pashpërthyera.

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për ta mbështetur Ukrainën dhe, si pjesë e Koalicionit për Deminim, në bashkëpunim me Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara, Forca e Sigurisë së Kosovës ka trajnuar shtatë grupe, gjithsej 146 pjesëtarë të Policisë Kombëtare, Gardës Kombëtare dhe Shërbimeve të Emergjencës së Ukrainës.

Republika e Kosovës ka ofruar gjithashtu dy pako mbështetëse ushtarake, ka kontribuar për dy vjet në Operacionin Interflex në Mbretërinë e Bashkuar për trajnimin e rekrutëve ukrainas, si dhe ka pritur gazetarë ukrainas.

Kosova është e gatshme të kontribuojë me ekspertizën e saj në fushën e deminimit për rimëkëmbjen e Ukrainës pas konfliktit, por edhe në faza të tjera, kur të vendosim bashkërisht për një gjë të tillë.

Njohja e Kosovës nga Ukraina do të na ndihmonte dhe do të na mundësonte të bënim më shumë në mbështetje të Ukrainës, pa pasur nevojë të përballemi me procedura dhe pengesa, të cilat mund t’i quajmë të panevojshme.

Kjo mund të mos jetë drejtpërdrejt e rëndësishme për këtë konferencë, por krahas mbështetjes së drejtpërdrejtë për Ukrainën, duhet të jemi dhe të mbetemi vigjilentë ndaj përpjekjeve të Rusisë për ta zgjeruar dhe ruajtur ndikimin e saj në Evropë dhe brenda kufijve gjeografikë të Bashkimit Evropian.

Fatkeqësisht, sot në Serbi vazhdon të jetë i pranishëm ndikimi rus. Ende ekzistojnë institucione ruse që mbajnë kontakte, komunikojnë dhe bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë.

Ato gjithashtu vazhdojnë të jenë të angazhuara në mbështetjen e mbrojtjes civile dhe aktiviteteve të tjera në Serbi.

Besoj se zvogëlimi dhe pengimi i pranisë ruse në Evropë, apo brenda kufijve evropianë, do ta ndihmonte gjithashtu Ukrainën dhe sigurinë e Evropës.

Faleminderit.

Të Ngjashme