Aktuale

Aksidenti tragjik i merr jetën shefit të Krimeve / Policia e Vlorës zbardh detaje të reja nga ngjarja e rëndë

Policia e Vlorës ka zbardhur detaje të reja nga aksidenti i rëndë i ndodhur në autostradën “100 Vjetori”, në drejtimin Fier–Vlorë, ku humbi jetën shefi i Krimeve të Rënda në Komisariatin e Vlorës, Ermal Lulaj.

Sipas njoftimit zyrtar, automjeti tip “Toyota”, që drejtohej nga oficeri i policisë, dyshohet se për shkak të motit të keq dhe humbjes së kontrollit është përplasur me një mjet të tonazhit të rëndë, tip skrep, që drejtohej nga një 63-vjeçar, me inicialet Th. P.

Përplasja rezultoi fatale për Lulajn, i cili ndërroi jetë në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesi i skrepit mbeti i plagosur dhe u transportua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkakun e aksidentit.

Njoftimi:

Rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori”, në drejtimin Fier–Vlorë, automjeti tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. L., dyshohet se, për shkak të motit të keq dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit, është përplasur me një mjet tip skrep, me drejtues shtetasin Th. P., 63 vjeç.

Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit “Toyota”, shtetasi E. L., oficer policie në DVP Vlorë.

Ndërsa shtetasi Th. P. është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të aksidentit.

Të Ngjashme