Ekipet e shpëtimit kanë vijuar edhe të enjten kërkimet përgjatë kufirit të Nepalit me Kinën, pas përmbytjeve katastrofike që lanë të vdekur mbi 360 persona.
Rrëkeu i fuqishëm i ujit dhe baltës, disa kate i lartë, përfshiu komunitetet lokale të mërkurën, pas shembjes së një akullnaje.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur një fshat i tërë në distriktin Nuëakot u përfshi nga balta dhe ujërat e furishme.
Më shumë se 1,300 persona rezultojnë ende të zhdukur, gati gjysma e tyre të huaj dhe pelegrinë.
Qindra persona të tjerë janë detyruar të largohen nga banesat e tyre në të gjithë rajonin e Himalajeve.
Qeveria e Nepalit ka mobilizuar ushtrinë dhe operatorë privatë të helikopterëve për të përshpejtuar operacionet e kërkim-shpëtimit dhe për të zhvendosur banorët e prekur nga katastrofa.
Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në infrastrukturë.
Sipas raporteve fillestare, janë shkatërruar 19 ura, ndërsa një segment prej rreth 40 kilometrash i një autostrade kryesore është dëmtuar rëndë.
Kjo ka ndërprerë rrugët e transportit dhe ka vështirësuar edhe më tej përpjekjet e ekipeve të shpëtimit.
Ndërkohë, autoritetet nepaleze i kanë shpallur distriktet Rasuwa, Nuwakot dhe Dhading “zona krize fatkeqësie” për një periudhë prej tre muajsh./teve1.info/
