Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka organizuar sot Provimin e Maturës Shtetërore në 55 qendra testimi në të gjithë territorin e Kosovës.
Për këtë afat, përmes platformës eKosova kanë aplikuar gjithsej 5 mijë e 33 kandidatë. Pas shqyrtimit dhe verifikimit të aplikimeve, pjesëmarrja në provim u është miratuar 4 mijë e 967 kandidatëve.
Procesi i testimit ka nisur në orën 10:00, sipas planifikimit dhe procedurave të përcaktuara për administrimin e provimit.
Gjatë testimit, 18 kandidatë janë përjashtuar pasi janë kapur me telefona, në kundërshtim me rregullat për mbarëvajtjen e provimit.
Ministria ka falënderuar komisionerët, administratorët dhe të gjithë personat e angazhuar në organizimin e Provimit të Maturës Shtetërore.
