Partia Demokratike e Kosovës është duke mbajtur një mbledhje të Kryesisë, ku pjesëmarrës janë edhe kryetarët e komunave që i përkasin kësaj partie, e anëtarë të tjerë.
Sipas burimeve të KosovaPress, Kryesia e PDK-së është mbledhur për të diskutuar lidhur me marshin e 12 shtatorit që do mbahet para vendimit ndaj katërshes së UÇK-së në Hagë.
Nga PDK thane se do të bëhet organizimi i protestës.
Derisa deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se nuk ka asgjë të re nga marrëveshja LVV-LDK për kandidatin presidencial.
Sipas saj, ka qenë e ditur se do propozohet Bekim Sejdiu.
Musliu: Ka qenë e ditur për Bekim Sejdiun
“Njëjtë, siç e kam parë dje e pardje, asgjë e re. Ka qenë e ditur”, tha shkurt Musliu.
Më 31 gusht, LVV dhe LDK u dakorduan për emrin e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.
Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja. Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar aksionet politike për të kërkuar mbajtjen e seancës konstituive.
