Mbreti i Belgjikës, Philippe, ka refuzuar dorëheqjen e kryeministrit Bart De Wever, duke i kërkuar këtij të fundit të rikthehet menjëherë në negociatat për arritjen e një marrëveshjeje mbi buxhetin e vendit. Lajmi u bë i ditur nga Pallati Mbretëror përmes një deklarate zyrtare.
Vendimi u mor pas një takimi mes mbretit dhe kryeministrit në Pallatin Mbretëror, si dhe konsultimeve që Philippe zhvilloi me drejtuesit e pesë partive që përbëjnë shumicën qeverisëse.
De Wever kishte paraqitur dorëheqjen të hënën, pasi mosmarrëveshjet mes partnerëve të koalicionit penguan arritjen e një kompromisi për masat buxhetore.
Sipas deklaratës së Pallatit Mbretëror, gjatë konsultimeve, të pesë liderët politikë rikonfirmuan angazhimin për të arritur një marrëveshje mbi një plan të qëndrueshëm buxhetor për tre vitet e ardhshme.
Ata shprehën gjithashtu gatishmërinë për të bërë lëshime dhe për të përmbyllur negociatat në një kohë sa më të shkurtër.
Nga ana e tij, mbreti Philippe u bëri thirrje drejtuesve të partive që të vendosin në plan të parë kompromisin dhe përgjegjësinë politike, duke theksuar rëndësinë e gjetjes së një ekuilibri mes ruajtjes së kohezionit social dhe nxitjes së rritjes ekonomike.
Në përfundim të konsultimeve, mbreti vendosi të mos e pranojë dorëheqjen e kryeministrit dhe e ngarkoi atë të rifillojë menjëherë bisedimet për buxhetin. De Wever pritet të raportojë sërish para mbretit më 16 nëntor.
Kryeministri i Belgjikës ofron dorëheqjen për shkak të bllokimit të buxhetit
