Një 34-vjeçar i identifikuar si Aurel Deliu është arrestuar nga Forcat Shqiponja në zonën e Rinasit, pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, Deliu, banues në Nikël dhe i njohur si pjesë e grupit të Marklen Hakës, po lëvizte me automjet në momentin kur u ndalua për kontroll nga efektivët e policisë.
Gjatë kontrollit, atij iu gjet një armë zjarri pistoletë, ndërsa në automjet ndodhej edhe një person tjetër, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik.
34-vjeçari rezulton person me precedent penal dhe i skeduar më herët nga policia. Në vitin 2021, ai ishte arrestuar në Tiranë së bashku me një tjetër person, ndërsa dy persona të tjerë ishin shpallur në kërkim, pasi nuk iu bindën urdhrit të policisë për kontroll.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të verifikuar nëse të arrestuarit kanë lidhje me veprimtari të tjera kriminale.
