Aktuale

Me një seri dokumentesh false, si u zbulua vendi ku fshihej Ervin Mata në Brazil, ja lidhjet me grupet kriminale

Ervin Mata, i njohur ndryshe si “boli i kokainës” u arrestua në Brazil, bazuar në një kërkesë të autoriteteve shqiptare, që e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni është zhvilluar nga forcat speciale braziliane, që e kapën shqiptarin në periferi të Sao Paulo-s. Në momentin e arrestimit atij iu kapën një seri dokumentesh false, pasaporta dhe karta identiteti, që e kishin ndihmuar ‘bolin e kokainës’ të jetonte mes Paraguajit dhe Brazilit. Sipas raportimeve të fundit, mësohet se kapja e Matës ishte rezultat i një hetimi 2-vjeçar, mes strukturave të Interpol që kishin rënë në gjurmët e shqiptarit të kërkuar nga SPAK.

Duket se pas verifikimeve, autoritetet braziliane kanë vendosur të ndërhyjnë duke vënë në pranga Matën, që fillimisht ka treguar një pasaportë me vendlindje në Mbretërinë e Bashkuar, por që rezultoi false. Arrestimi në Ilhabela ndodhi pasi informacionet e inteligjencës treguan se Mata po udhëtonte drejt Bregut Verior. Gjatë monitorimit, policia identifikoi se ai kishte përdorur rrugë alternative, duke përfshirë udhëtimin me det për në Ilhabela. Sipas urdhrit të arrestit, i dyshuari dyshohet se ka koordinuar, me bashkëpunëtorë, trafikimin e 240 kilogramëve kokainë më 29 shtator 2020, në qytetin e Frankfurtit, Gjermani. “Me anë të kësaj urdhëroj ndalimin parandalues të Ervin Matës, duke përcaktuar lëshimin e një urdhër-arresti, ekzekutimi i të cilit duhet t’i komunikohet menjëherë kësaj Gjykate Supreme, Ministrisë së Drejtësisë, Interpolit dhe përfaqësisë diplomatike të shtetit përkatës”, thuhet në vendim.

Më pas atij i janë sekuestruar pasaportë bullgare dhe karta identiteti të falsifikuara, që përdoreshin nga ‘boli i kokainës’ për të qarkulluar nga një shtet në tjetrin, kryesisht në Amerikën Latine. Nga të dhënat, dyshohet se Mata kishte krijuar lidhje me një nga grupet e fuqishme kriminale në Paraguaj, që duket se i garantonin sigurinë fizike, por edhe rrjetet e trafikut, për të cilat akuzohet edhe nga SPAK, duke qenë ndër emrat më të kërkuar të “botës së nëndheshme”.

Nga raportimet mësohet se nga momenti kur drejtësia në Shqipëri e shpalli në kërkim, Mata të jetë vendosur pikërisht në Amerikën Latine, nga ku siguronte më pas qarkullimin nga një vend në tjetrin herë duke përdorur dokumente bullgare false dhe herë ato të paraguajane, po të falsifikuara. Në vitin 2023 Mata u shpall në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit kriminal prej 11 personash, mes tyre djali i Erzen Breçanit. Ky grup kriminal dyshohet për trafikimin e kilogramëve me kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.

Ai akuzohet se koordinoi pjesëtarët e grupit kriminal ku bënte pjesë, për trafikimin e 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, episod i ndodhur në fund të shtatorit të 2020-ës. GJKKO ka caktuar ndaj Ervin Matës, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Gjithashtu hetime janë kryer dhe në lidhje me disa ngjarje kriminale të mëparshme, të ndodhura në Shqipëri. Grupi kriminal ku ai bënte pjesë, dyshohet edhe për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Shqipërisë si dhe raste të pastrimit të parave.

Të Ngjashme