Lajme

Mekuli: Kosova duhet ta zgjedhë Presidentin, edhe përmes kompromisit

Gazetari Gëzim Mekuli u ka bërë thirrje partive parlamentare që të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke e cilësuar këtë çështje si të rëndësishme për shtetin

Mekuli ka kërkuar që partitë t’i lënë mënjanë dallimet dhe interesat partiake, duke argumentuar se në situatën aktuale Kosovës i nevojitet unitet institucional. Ai ka përmendur edhe shembullin e Norvegjisë, e cila në vitin 1905 zgjodhi një princ danez si mbret, si shembull të një kompromisi për interesin shtetëror.

Shkrimi i plotë:

Kosovës i duhet një President; edhe prej lloqi, nëse e kërkon nevoja

Ju mund të keni dallime, por zgjedhja e Presidentit sot është çështje e egzistencës së Kosovës, jo e interesave partiake.

Prandaj, një thirrje për të gjitha partitë në Kuvend; uluni, kuvendoni, kritkoni njëri-tjetrin, shani e bërtitni siq e keni zakon, por, aman, gjeni një zgjidhje për Presidentin.

Gjeopolitika ndërkombëtare është para shpërthimeve të pallogaritshme; Republika jonë duhet të jetë mbi partinë dhe inatet personale. Sot në Kuvend na duhet uniteti, arsyeja e shëndoshë dhe aspak emocioni; kujdes me formulimin e fjalëve dhe të fjalive sot!

Të nderuar deputetë,

Lufta mbinjerëzore e UÇK-së mbrohet sot në Kuvendin e Kosovës; Proceset Gjyqësore-Juridike ndaj UÇK-së në Hagë, mbrohen brenda institucioneve të Republikës; Këtu është sot mejdani, këtu na duhet presioni publik e mediatik; Bëjeni Presidentin! Sajojeni Presidentin! Gjejeni Presidentin; Edhe prej lloqi, nëse është nevoja, HUAZOJENI një Presidnet për të mirën e Kosovës, nëse hiq, bash hiq, nuk po e gjeni një President në botën shqiptare.

Huazojeni si Norvegjia mbretin e tyre; ju e dini se në vitin 1905, norvegjezët pas shumë vuajtjesh, u bënë shtet i pavarur dhe “huazuan” një princ nga Danimarka për ta bërë mbretin e tyre për të mirën e tyre; Norvegjezët nuk u kapën pas egove, inateve, partive apo prejardhjes. Kërkuan zgjidhjen urgjente që i shërbente kombit norvegjez dhe Norvegjisë si shtet.

Norvegjia nuk u dobësua duke bërë kompromisin; Edhe atëherë kishte zhurmagjinjë të sokaqeve dhe të kafeneve, por këta nuk u dëgjuan nga elita norvegjeze; Përkundrazi, pikërisht duke menduar për shtetin, norvegjezët bënë hapin e madh përpara…

Edhe ne sot, për ta ruajtur Kosovën, duhet ta vendosim Kosovën mbi veten; si heronjtë tanë, si trimëreshat tona, si ata që u bënë shkrumb e hi për shqiptarizmën, për lirinë, pavarësinë e për mirëqenjen, sakrificë, vuajtje, gjamë e lotë që prej 1878-ës e deri sot.

Bëjeni Presidentin! Edhe prej lloqi krijojeni, nëse është nevoja; Huazojeni Presidentin, nëse duhet, por bëjeni! Po, po, sajojeni një President edhe prej lloqi, nëse është nevoja, sepse Kosova është e të gjithëve, e të tanëve, e krejtëve qytetarëve të saj, pa dallim partie, gjinie, feje, nacionaliteti apo statusi social.

Dhe mbi të gjitha: mos ia bëni qejfin Gavrilloviqit, Çubrilloviqit, Andriqit, Millosheviqit, Vuçiqit…

Të Ngjashme