Mesazhe kërcënuese për bombë janë raportuar në disa institucione të drejtësisë në vend, duke shkaktuar alarm dhe vënë në lëvizje forcat e Policisë. Kërcënimet kanë prekur Gjykatën dhe Prokurorinë e Fierit, Gjykatën Administrative të Lushnjës, si dhe ambientet pranë Gjykatës dhe Prokurorisë së Shkodrës.
Në Fier, një mesazh kërcënues për bombë ka mbërritur në administratën e Gjykatës dhe Prokurorisë, duke shkaktuar shqetësim mes punonjësve. Pas marrjes së njoftimit, godinat janë evakuuar, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë, të cilat kanë ndërmarrë veprimet përkatëse për verifikimin e situatës.
Ndërkohë, alarmi për bombë është dhënë edhe mëngjesin e sotëm në Gjykatën Administrative të Lushnjës, pas një mesazhi të mbërritur në adresën elektronike të institucionit, raporton rtsh.
Pas njoftimit, në vendngjarje ka mbërritur Policia, e cila ka kontrolluar godinën për të verifikuar nëse kishte ndonjë objekt të dyshimtë. Pas kontrolleve, alarmi rezultoi i rremë dhe punonjësit kanë vijuar normalisht punën.
Një tjetër email kërcënues është raportuar edhe pranë Gjykatës dhe Prokurorisë së Shkodrës. Edhe në këtë rast, autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar natyrën e kërcënimit dhe nëse ekziston ndonjë rrezik për sigurinë.
Deri më tani, nuk ka informacion të konfirmuar për autorët e mesazheve kërcënuese. Autoritetet po kryejnë verifikimet përkatëse, ndërsa pritet të bëhen të ditura detaje të tjera mbi situatën në institucionet e përfshira.
Kërcënim për sulm me bobmë ka pasur edhe në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë.
Në adresën e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë ka mbërritur një e-mail kërcënues për vendosjen e eksplozivit në këto ambiente, raporton Top Channel.
