Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës për ndryshim të masës së sigurisë, pavarësisht se mbrojtja e tij ofroi edhe garanci pasurore gjatë seancës së zhvilluar këtë të hënë.
Seanca është shoqëruar me tensione dhe debate mes avokatit të Metës, Kujtim Cakrani, dhe prokurorit të SPAK, Sotir Kllapi.Përplasja nisi pasi prokurori lexoi një mesazh që sipas dosjes Meta i kishte dërguar Kastriot Ismailajt në vitin 2009, ku thuhej: “Më duhen 200 mijë, mos harro”.
Menjëherë ndërhyri avokati i Metës, duke pretenduar se bëhej fjalë për “200 mijë bluza” për fushatën elektorale.
Debati u tensionua më tej kur prokurori i kërkoi avokatit të ulej, ndërsa ky i fundit iu përgjigj: “Me mua kujdes, fol mirë, korrigjohu”.
Gjykata ndërhyri duke kërkuar qetësi në sallë, ndërsa edhe prokurori Arben Kraja kërkoi respektimin e barazisë gjatë procesit.
Gjatë seancës ndërhyri edhe vetë Ilir Meta, i cili kërkoi sqarime procedurale lidhur me diskutimet për çështjen CEZ-DIA.
Më tej, prokuroria bëri me dije se gjatë kontrolleve në banesën e Fatime Kryemadhit janë sekuestruar prova të reja, përfshirë një aparat celular dhe dokumente pagesash që, sipas SPAK, mund të hedhin dritë mbi hetimet.
Pjesë nga diskutimet në sallë:
Prokurori i SPAK Sotir Kllapi: Në 22 qershor 2009 i pandehuri i ka dërguar Kastriot Ismailajt “më duhen 200 mijë mos harro”
Ndërhyn avokati i Metës dhe Kryemadhit: 200 mijë bluza mos harro. Se ishte kohë fushate mos harro…
SPAK: Avokat ulu…
Avokati i Metës: Me mua kujdes fol mirë, korrigjohu…
Gjykata: Qetësi…
Prokurori Arben Kraja: Që kur ka nisur seanca ne nuk kemi ndërhyrë as folur, kërkojmë barazi në gjykim.
Gjykata: Sapo ndërhyra e kërkova qetësi…
Meta: Me leje për procedurë. Meqenëse prokurori ka dëshirë të merret me CEZ DIA dhe meqenëse personat e tjerë nuk janë të përfshirë në këtë ose të ndalemi këtu ose të vijojmë…
Avokati i Metës: President është procedurë…
Prokurori i SPAK Sotir Kllapi: Në 19 nëntor 2023 është ushtruar kontroll ndër të tjera edhe në banesën e Fatime Kryemadhit. Ndër të tjera është sekuestruar edhe një aparat telefon që i është kryer ekspertiza. Janë marrë prova që hedhin dritë mbi faktet penale. Në këtë banesë janë sekuestruar edhe dy mandat pagesa ku rezulton qe një pjesë e çmimit për një banesë në bllok është bërë më shumë./
