Aktuale

Harrojeni vjeshtën e ngrohtë/ Ndryshon krejtësisht moti, ja çfarë pritet të ndodhë

Sinoptikani Elvi Jahaj nga Shërbimi Meteologjik Ushtarak ishte sot në një emision televiziv, ku bëri parashikimin e motit për fundjavën dhe javën që vjen.

Sipas Jahaj, të shtunën dhe të dielën, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me mot me vranësira mesatare dhe hera-herës edhe të dendura.

“Por nuk do të mungojnë edhe alternimet e kthjellimeve. Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe me intensitet kryesisht të ulët, por në periudha afatshkurtra dhe lokalisht reshjet hera herës do të jenë dhe në formën e shtrëngatave dhe intensitet deri mesatar”, tha sinoptikani.

Ndërsa duke bërë parashikimin për javën e ardhshme, Elvi Jahaj u shpreh se, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushtet atmosferike të paqëndrueshme dhe mot kryesisht të vranët dhe alternimet e kthjellimeve.

“Në momentin e vranësirave të dendura, reshjet e shiut të herëpashershme siç e thashë me intensitet të ulët dhe në periudha afatshkurtra në formën e shtrëngatave dhe lokalisht edhe me shkarkesa elektrike.

Por duke filluar nga dita e mërkurë e javës së ardhshme kemi një përmirësim të kushteve atmosferike, ndërsa moti parashikohet kryesisht i kthjellët dhe alternime vranësirash kalimtare.

Sa i përket temperaturave, ato në vlerat e mesditës pritet që të zbresin për shkak të reshjeve të shiut në vlerat 16-17 gradë Celsius, por në ditë të caktuara kapin përsëri vlerat 20 apo 21 gradë Celsius. Ndërsa në vlerat e mëngjesit, në vlerat minimale, në zonat malore do të prekin vlerat 4-6 gradë Celsius, kurse përgjatë ultësirës perëndimore 8-10 gradë Celsius. Gjithashtu priten edhe reshjet e dëborës, pra kryesisht në relievet malore, në verilindje dhe juglindje, në lartësitë mbi 1000-1200 metra. Pra reshje me intensitet të ulët.

Të Ngjashme