Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Milatoviq: Ndajmë qëndrimin e BE-së për veriun e Kosovës, i gatshëm për të ndihmuar

 
   

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq u shpreh sot se Mali i Zi mbështet fuqishëm dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se është i gatshëm të ndihmojë nëse i kërkohet ndihmë.

“Ne e mbështesim fuqishëm dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, jemi të gatshëm të ndihmojmë nëse kërkohet ndihmë nga ne, por normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është me të vërtetë, më duket, baza e një Ballkani perëndimor të qëndrueshëm dhe të begatë dhe ne për këtë po angazhohemi”, tha Milatoviq në një intervistë për agjencinë MIA.

Ai tha se personalisht do të dëshironte dhe mendon se të gjithë në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të dëshironin të shihnin një de-eskalim të plotë të konfliktit dhe në përgjithësi të mosmarrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe vuri në dukje se përmirësimi shtesë i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi.

Sipas tij, Mali i Zi ndan plotësisht qëndrimin me Bashkimin Evropian (BE) se për të de-eskaluar tensionet është e nevojshme që sërish të zhvillohen zgjedhjet në veri të Kosovës dhe të plotësohen parakushtet për formimin e Asociacionit të komunave serbe.

“Mendoj se ne kemi një qëndrim krejtësisht identik për këtë çështje me BE-në, se për të arritur atë de-eskalim, duhet të mbahen sërish zgjedhje në veri të Kosovës, duhet të përmbushen parakushtet që kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës, si disa hapa drejt deeskalimit të mëtejshëm të tensioneve. Mali i Zi mbështet gjithçka që të çon në këtë drejtim”, u shpreh Milatoviq.

“Besoj se ne me të vërtetë kemi nevojë për një Ballkan Perëndimor të prosperuar dhe të qëndrueshëm si pjesë e BE-së”, theksoi presidenti i ri malazez, në një intervistë në margjinat e Forumit të Prespës në Maqedoninë e Veriut.

Milatoviq tha se mendon se iniciativa “Ballkani i Hapur” është një gjë e mirë për Malin e Zi dhe Ballkanin Perëndimor dhe se mund të jetë një trampolinë e mirë për integrimin evropian.

Dje (15 qershor), përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell ka deklaruar se javën e ardhshme do të ftojë Kosovën dhe Serbinë në një takim në Bruksel.

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në veri. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29 maj) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.

Qeveria e Kosovës është kritikuar lidhur me veprimet në veri të vendit.

Të martën (13 qershor), është raportuar se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Ndërsa, të mërkurën (14 qershor) Bashkimi Evropian ka deklaruar se kanë vendosur të ndërmarrin masa ndaj Kosovës, por që të njëjtat nuk janë sanksione. Sipas zëdhënësit Peter Stano, nuk përjashtohet mundësia për masa të tjera nëse Qeveria e Kosovës nuk i përmbush kërkesat e ndërkombëtarëve.