Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir ka postuar një video të tij duke u tallur me aktivistët e ndaluar nga Flota Globale Sumud që po udhëtojnë drejt Gazës me mbishkrimin “Mirë se vini në Izrael”.
Aktivistët, të rrëmbyer nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare, shihen të lidhur me zinxhirë dhe të gjunjëzuar ndërsa intonohet himni kombëtar i Izraelit.
Në video ai dëgjohet poashtu duke thënë në hebraisht: “Ata erdhën me shumë krenari dhe shikoni si duken tani. Jo heronj, asgjë. Mbështetës të terrorizmit.”
“Ata që veprojnë kundër Shtetit të Izraelit do të gjejnë një shtet të vendosur, shpresoj që Kryeministri do t’ju mbajë me ne në burgun Ktzi’ot për aq kohë sa të jetë e mundur”
Ndërkohë, Italia ka thirrur ambasadorin izraelit në lidhje me trajtimin e aktivistëve të përfshirë në një flotilje ndihmash për në Gaza, të cilën kryeministrja Giorgia Meloni dhe ministri i jashtëm Antonio Tajani e përshkruan si “të papranueshme”.
“Imazhet e ministrit izraelit Ben Gvir janë të papranueshme. Është e papranueshme që këta protestues, përfshirë shumë qytetarë italianë, i nënshtrohen këtij trajtimi që shkel dinjitetin e tyre njerëzor”, thanë të dy në një deklaratë të përbashkët.
Qeveria italiane tha se po ndërmerrte hapa të menjëhershëm në nivelet më të larta institucionale për të siguruar lirimin e qytetarëve italianë të përfshirë në incident.
Roma kërkoi gjithashtu një kërkimfalje nga Izraeli për trajtimin e aktivistëve dhe për atë që e përshkroi si shpërfillje të kërkesave të saj të qarta.
Flota Globale Sumud tha më parë se Izraeli kishte sekuestruar të gjitha anijet në konvojin e saj të ndihmave.
Së bashku, ata transportonin 428 persona nga 44 vende, duke u nisur nga distrikti turk i Marmaris në një përpjekje të re për të thyer bllokadën e paligjshme izraelite të vendosur në Gaza që nga viti 2007./teve1.info/
ככה אנחנו מקבלים את תומכי הטרור
Welcome to Israel 🇮🇱 pic.twitter.com/7Hf8cAg7fC
— איתמר בן גביר (@itamarbengvir) May 20, 2026
