Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ministri serb me gjuhë kërcënuese: Nëse presidenti jep urdhrin, ushtria futet në Kosovë

Ushtria e Serbisë mohon akuzën e lëshuar nga Kosova se synonte aneksimin e veriut përmes sulmeve terroriste. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Milan Mojsiloviç, në një konferencë për shtyp bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, u mbrojt duke thënë se 14 mijë anëtarë janë shumë pak për një detyrë kaq komplekse.

Kurse Vuçeviç pretendoi se po zhvillohet një fushatë në dëm të ushtrisë serbe për të kufizuar manovrat e saj, ndërsa foli edhe për mundësinë e futjes së trupave në territorin e Kosovës.

“Nëse Forcat e Armatosura të Serbisë marrin një urdhër të tillë nga Presidenti i Serbisë si Komandant i Përgjithshëm për të hyrë në territorin e Kosovës, Forcat e Armatosura të Serbisë do ta kryejnë një detyrë të tillë në mënyrë efikase, profesionale dhe me sukses. Ata nuk do të bënin asgjë pas shpine, por do ta informonin KFOR-in”, tha Vuçeviç.

Ata refuzuan provat e prezantuara nga Kosova dhe nuk ngurruan të distancoheshin nga veprimet e Milan Radojçiç, organizatorit të sulmit të armatosur të 24 shtatorit. Megjithatë konfirmoi se ushtria po trajnon disa serbë të Kosovës si rezervistë.

“Milan Radoiçiç nuk ka marrë pjesë në stërvitjen në livadhet e Pasuljanskit, nuk ka gjuajtur asnjë plumb apo granatë dhe nuk ka marrë pjesë në ndonjë aktivitet. Në disa raste në vitet e kaluara ai ishte ftuar në stërvitje, por ai nuk iu përgjigj atyre dhe ajo që Radoiçiç bën në pronën e tij private nuk është punë e ushtrisë serbe. I mohoj me vendosmëri të gjitha akuzat nga Prishtina”, tha Mojsiloviç.

Lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, foli edhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, duke pretenduar se njëri prej sulmuesve është vrarë nga policia e Kosovës pasi ishte plagosur. Ai akuzoi autoritetet e Kosovës për falsifikim provash dhe kërkoi nga KFOR-I dhe EULEX-I që të jenë objektivë dhe neutralë sa i përket sulmit të 24 shtatorit.