Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ministria e Jashtme e Kosovës: Policët po mbahen në kushte çnjerëzore

Gjykata e Lartë në Kralevë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre zyrtarëve policorë të Kosovës të cilët u rrëmbyen dy ditë më parë brenda territorit të Kosovës.

Nga Prokuroria e lartë në këtë komunë thonë se ata po dyshohen për veprat penale të prodhimit, posedimit, mbajtjes dhe trafikimit të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese. Ndërkaq, sipas Ministrisë së Jashtme të Kosovës, policët po mbahen në kushte çnjerëzore.

Nga 30 ditë paraburgim u janë caktuar tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga forcat serbe. Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë ka njoftuar se ata dyshohen për veprat penale të prodhimit, posedimit, mbajtjes dhe trafikimit të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese.

Ministria e Jashtme e Kosovës ka njoftuar se policët po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor.

Sipas avokatit nga Serbia, Çedomir Stojkoviq, për këto vepra penale mund të shqiptohen dënime nga 6 muaj deri në 12 vjet burgim.

“Duhet të dihet se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në bazë të nenit 110 të Kodit Penal, në çdo kohë mund t’i falë tre policë të Kosovës dhe t’i lirojë menjëherë. Por duhet ditur edhe se gjykata në Kralevë sigurisht që nuk i ka ndaluar ata pa një direktivë të tillë nga zyra e Aleksandër Vuçiqit”, ka thënë Çedomir Stojkoviq , avokat nga Serbia.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që policët të kthehen në Kosovë.

“Demokracia nuk mund të ketë aleat autokracinë dhe as nuk mund të thellohet deri në absurd, të rrijë e heshtur ndaj autokratëve. Policët e Kosovës duhet të lirohen sa më parë”, ka thënë Haxhiu.

Nga Britania e Madhe dhe Gjermania kërkuan që Prishtina dhe Beogradi të punojnë në shtensionimin e situatës.

“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë të ndaluar më 14 qershor. I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen maksimalisht, t’i shmangin masat e njëanshme dhe të marrin veprime të menjëhershme për shtensionim. Ne i përsërisim thirrjet ndaj kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të sigurojë që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë detyrat e tyre ngalokacione alternative jashtë objekteve të komunave dhe që njësitet speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave. Zgjedhje të reja gjithëpërfshirëse të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës të marrin pjesë në ato zgjedhje”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike në Kosovë.

“Gjermania kërkon lirimin pa kushte të 3 policëve të ndaluar dhe i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë ta shtensionojnë menjëherë situatën”, ka thënë ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Tre zyrtarët e Policisë së Kosovës janë rrëmbyer më 14 qershor gjatë kohës sa po patrullonin në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare Kosovë-Serbi. /RTK