Lajme

Miratimi i deklaratës për aktgjykimin e Speciales, Rama: Kosova foli me një zë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas miratimit të Deklaratës së Kuvendit të Kosovës për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook, Rama e ka cilësuar si jetik unitetin institucional për miratimin e kësaj deklarate, duke thënë se për çështje që lidhen me luftën për liri dhe historinë e Kosovës, dallimet politike nuk duhet të jenë më të mëdha se përgjegjësia e përbashkët.

 “Sot, përballë një çështjeje që prek historinë tonë, luftën për liri dhe themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë, Kosova foli me një zë. Ky unitet institucional në miratimin e Deklaratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ishte jetik. Kur bëhet fjalë për luftën çlirimtare, për sakrificën e një populli dhe për të vërtetën historike të Kosovës, dallimet politike nuk duhet të jenë më të mëdha se përgjegjësia jonë e përbashkët”, shkroi ai.

Rama shtoi se mesazhi i dhënë nga Kuvendi duhet të dëgjohet fuqishëm edhe përtej Kosovës.

“Mbi partitë është shteti. Mbi interesat ditore është e vërteta jonë historike. Drejtësia kërkon drejtësi. Historia kërkon të vërtetën. Ndërsa Kosova, kur preken themelet e lirisë së saj, duhet të dijë të qëndrojë e bashkuar. Sot Kuvendi e dha këtë mesazh. Dhe është një mesazh që duhet të dëgjohet fuqishëm edhe përtej Kosovës”, shkroi Rama.

Të Ngjashme