Portofoli mund të jetë vetëm një vend ku mbajmë paratë dhe kartelat, por në bestytnitë e vjetra ai lidhet shpesh me bollëkun dhe gjendjen financiare.
Një prej besimeve më të përhapura thotë se portofoli nuk duhet lënë asnjëherë krejtësisht bosh. Në tradita të ndryshme ekziston zakoni që brenda tij të lihet të paktën një monedhë apo një kartëmonedhë, si simbol që paratë të mos “ndërpresin rrugën” drejt tij.
Sipas bestytnive popullore, edhe faturat e vjetra, letrat e panevojshme dhe gjërat që krijojnë rrëmujë nuk preferohet të grumbullohen në portofol. Ideja pas këtij besimi është që vendi ku ruhen paratë duhet të mbahet i rregullt dhe të mos mbushet me gjëra që simbolizojnë para të shpenzuara.
Një tjetër bestytni interesante lidhet me çantën apo portofolin që vendoset në dysheme. Në tradita të ndryshme besohet se vendosja e çantës në tokë bën që paratë të “largohen” prej saj.
Por ekziston edhe një objekt që, sipas besimeve të vjetra, duhet bërë pikërisht e kundërta dhe të mbahet brenda: gjethja e dafinës. Ajo është lidhur prej kohësh me fitoren dhe prosperitetin, ndërsa në disa praktika popullore mbahet pranë parave me besimin se tërheq bollëk.
Madje, ky ritual i vjetër është rikthyer së fundmi në një version modern në rrjetet sociale, ku njerëzit po vendosin gjethe dafine edhe pas mbështjellëses së telefonit, duke besuar se sjell fat dhe prosperitet.
Sigurisht, këto mbeten vetëm bestytni dhe tradita popullore, pa prova shkencore se mund të ndikojnë në gjendjen financiare. Megjithatë, për shumë njerëz vazhdojnë të jenë rituale të vogla që përcillen brez pas brezi. /Prive By Liberta Spahiu
