Lajme

Mustafë Kadriaj i kërkon falje publikut pas sulmit ndaj Nexhmedin Spahiut në studio

Analisti për ekonomi, Mustafë Kadriaj, ka reaguar pas incidentit të mbrëmshëm në emisionin debatues në Teve 1, ku transmetimi u ndërpre përkohësisht pas përplasjes së tij me profesorin e shkencave politike dhe analistin Nexhmedin Spahiu.

Përplasja nisi gjatë debatit, kur Kadriaj e quajti Spahiun “pseudo-jugosllav e mbetje”, ndërsa ky i fundit i kërkoi sqarim për ofendimin. Situata u tensionua më tej kur Kadriaj iu drejtua me fjalët: “Çfarë ke, çka p’e hap gojën”, para se debati të përshkallëzohej dhe transmetimi të ndërpritej.

Pas ngjarjes, Kadriaj përmes një reagimi publik ka kërkuar falje për sjelljen e tij, duke thënë se reagimi ishte bërë në afekt.

“Është njerëzore të kërkosh falje publikut për një sjellje timen dhe jam i gatshëm, nëse kërkohet, t’u kërkoj falje shqiptarëve anë e mbanë, kudo që janë. Pa dyshim që reagimi im ishte në afekt dhe më vjen keq”, ka shkruar Kadriaj.

Megjithatë, ai ka thënë se reagimi i tij erdhi pas deklaratave të Nexhmedin Spahiut ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, për të cilin Kadriaj tha se po përballet padrejtësisht në Hagë.

“Por të ofendohet një figurë siç është Hashim Thaçi, i cili, me të gjitha të metat që mund t’i ketë si njeri, e ka dëshmuar anën e tij atdhetare dhe për këtë po përballet padrejtësisht në Hagë, ishte e papranueshme për mua”, u shpreh ai.

Kadriaj pretendoi se Spahiu kishte përdorur gjuhë fyese ndaj Thaçit dhe kritikoi edhe mënyrën se si ishte menaxhuar debati në studio.

“Unë u detyrova ta lëshoj studion, por Spahiu vazhdoi me ofendime, gjë që për mua ishte e papranueshme në atë moment”, ka deklaruar ai.

Në fund të reagimit, Kadriaj përsëriti kërkimfaljen për publikun, duke theksuar se pavarësisht gabimeve njerëzore, sipas tij, “nuk mund të ofendohen çlirimtarët”.

Të Ngjashme