Ish-shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka akuzuar opozitën për bllokadë institucionale dhe refuzim të vazhdueshëm të propozimeve të Vetëvendosjes.
Sipas saj, PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe kanë refuzuar pjesëmarrjen në votime dhe kandidatura të ndryshme, përfshirë edhe figura të propozuara si konsensuale për poste të larta shtetërore.
Nagavci tha se përpjekjet e LVV-së për të shmangur zgjedhjet e parakohshme kanë dështuar për shkak të mungesës së vullnetit të opozitës për zgjidhje, duke shtuar se përgjegjësia për situatën politike do t’u mbetet partive opozitare dhe do të vlerësohet nga qytetarët.
Postimi i plotë:
Varg refuzimesh
Secilit propozim të LVV-së, opozita iu përgjigj me refuzim. Përpjekja jonë për të shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe të panevojshme hasi në një bllokadë të pakapërcyeshme. Në vend të angazhimit konstruktiv, pamë vetëm refuzim dhe mungesë vullneti për zgjidhje.
Kontradiktat e tyre dolën qartë në shesh. Nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe pamë refuzim ndaj propozimeve tona, refuzim për të marrë pjesë në votim, refuzim ndaj kandidatëve si Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, si dhe ndaj figurave konsensuale si dr. Feride Rushiti dhe prof. Hatixhe Hoxha. U refuzua edhe bashkëqeverisja, pozita e kryeparlamentarit dhe ajo e presidentit. U refuzua edhe vetë procesi për zgjedhjen e Presidentit.
Të dëshpëruar nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, po na çojnë edhe një herë drejt zgjedhjeve të reja. Përgjegjësia për këtë situatë është e qartë dhe qytetarët do ta japin përgjigjen e tyre.
