Shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se zgjedhja e presidentit është ‘prioritet mbi prioritete’ sepse, sipas saj, asnjë çështje s’mund të shtyhet para, përfshirë edhe lobimin shtetëror për kundërshtim të aktgjykimit dënues ndaj katërshes së UÇK-së.
Nagavci për deklaratat se duhet votuar projektligji për Gjykatën Speciale dhe të evitohet me mos pjesëmarrje procesi i votimit të presidentit, tha se pret përgjegjësi nga çdo akter politik që t’i kryejnë detyrat e tyre në Kuvendin e Kosovës.
“Me pjesëmarrje në zgjedhjen e presidentit ne jo vetëm që shmangim edhe një palë zgjedhje të reja, kursejmë buxhetin e shtetit por jemi në funksion të adresimit të temave të rëndësishme, në radhë të parë përgatitja dhe pjesëmarrja e të gjitha institucioneve në strategjinë shtetërore për ta adresuar këtë vendim të pa drejtë në Gjykatën e Apelit, diplomaci dhe në vazhdimin e projekteve tejet të rëndësishme”, tha ajo për RTK-në.
Për kandidatin për president i cili u tërhoq, Bekim Sejdiu, Nagavci tha se vazhdon të jetë personalitet i rëndësishëm dhe i denjë për këtë pozitë.
“Unë besoj që sikur të ketë një vullnet të deputetëve, ashtu sikur atëherë kur ai ishte i gatshëm ta merrte përsipër këtë detyrë, do ta rishqyrtonte”, tha ajo.
