Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se në mbledhjen e 64-të të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie janë diskutuar zhvillimet politike në vend, prioritetet qeverisëse dhe përgatitjet për zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes.
Përmes një postimi në Facebook, Nagavci ka bërë të ditur se një nga temat kryesore të diskutimit ishte zhvillimi ekonomik i Kosovës.
Ajo ka theksuar se projektbuxheti për vitin 2027, i cili pritet të miratohet nga Qeveria, parasheh mbi një miliard euro investime kapitale, me fokus në projektet infrastrukturore, rritjen ekonomike dhe përmirësimin e cilësisë së punësimit.
Gjatë mbledhjes, sipas Nagavcit, është diskutuar edhe për perspektivën e integrimit evropian të Kosovës, zhvillimet politike në Shqipëri dhe përfaqësimin politik të shqiptarëve në Serbi, pas rezultatit të arritur në zgjedhjet parlamentare.
Postim i plotë:
Dje u mbajt mbledhja e 64-të e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku diskutuam për zhvillimet politike në vend, prioritetet qeverisëse dhe forcimin e mëtejshëm të strukturave tona organizative.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe zhvillimi ekonomik i vendit. Projektbuxheti për vitin 2027, i cili pritet të miratohet nga Qeveria, parasheh mbi një miliard euro investime kapitale, duke i dhënë përparësi projekteve infrastrukturore, rritjes ekonomike dhe përmirësimit të cilësisë së punësimit.
U trajtuan gjithashtu perspektiva e integrimit evropian të Kosovës, zhvillimet në Shqipëri dhe përfaqësimi politik i shqiptarëve në Serbi, pas rezultatit të arritur në zgjedhjet parlamentare.
Një pjesë e rëndësishme e mbledhjes iu kushtua përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes. Pas një mandati katërvjeçar me angazhime dhe sfida të shumta, synimi ynë është të ndërtojmë një organizim edhe më efikas, me pjesëmarrje më të gjerë të grave, të rinjve dhe aktivistëve në të gjitha nivelet.
Do të vazhdojmë të angazhohemi për një Lëvizje më të fuqishme, më të organizuar dhe gjithnjë në shërbim të qytetarëve.
