Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, kritikoi ashpër emërimet e fundit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Ajo pretendon se të emëruarit janë të afërm të politikanëve.
Në një postim, Musliu-Shoshi iu drejtua drejtpërdrejt ministrit Glauk Konjufca: “Nale dorën me nipa e mbesa”. Sipas saj, emërimet në diplomaci duhet të mbështeten në meritë, profesionalizëm dhe kritere ligjore, jo në interesa familjare apo partiake.
Reagimi i PDK-së vjen pak orë pasi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kërkoi Konjufcës sqarime publike. AAK pyeti nëse është shfuqizuar vendimi nr. 113/2024, i nënshkruar në prill 2024 nga ish-ministrja Donika Gërvalla. Ai vendim ndalonte punapërcaktimin në ministri të të afërmve të zyrtarëve dhe diplomatëve.
Aleanca përmendi pesë emërime në misionet e Kosovës në Uashington, Berlin, Iowa, Hagë dhe Kopenhagë. Sipas saj, të emëruarit kanë lidhje familjare ose politike me njerëz të pushtetit.
Një prej rasteve që ka marrë vëmendje është emërimi i Lumturie Lipovecit si këshilltare në ambasadën e Kosovës në Hagë. Lipoveci është tezja e deputetes së Vetëvendosjes, Krenare Çerkini. Deputetja i tha Bota Sot se raportimet që e lidhin emërimin me postin e saj janë të pasakta. Sipas saj, Lipoveci punon në diplomaci prej gati një dekade.
Deri në botimin e këtij lajmi, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk kishte reaguar ndaj pyetjes së AAK-së për vendimin 113/2024.
