Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke theksuar se vendi nuk po kërkon trajtim të veçantë, por të barabartë me shtetet e tjera.
Kurti mbrëmë ishte i ftuar në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA) në Dublin të Irlandës, ku mbajti një fjalim dhe diskutoi për temën “Udhëtimi i Kosovës: Nga shtetësia drejt integrimit evropian”.
Para adresimit, ai u prit në takim nga drejtori i përgjithshëm i IIEA-së, Mark Redmond.
Gjatë fjalës së tij, Kurti foli për rrugëtimin historik të Kosovës drejt shtetësisë, luftën për liri, ndërtimin e institucioneve demokratike dhe synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Ai theksoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, por ende mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat.
“Ne kemi aplikuar për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, gjatë presidencës çeke të Këshillit. Irlanda është presidenca e tetë që nga ajo kohë dhe ne ende mbetemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e kandidatit”, deklaroi Kurti.
Ai kërkoi që aplikimi i Kosovës të shqyrtohet dhe të nisin negociatat për anëtarësim.
“Aplikimi ynë duhet të vlerësohet dhe ne duhet t’i fillojmë negociatat për anëtarësim. Ne kurrë nuk kemi kërkuar trajtim të veçantë, vetëm trajtim të barabartë”, u shpreh kryeministri.
Kurti vlerësoi se Kosova ka shënuar përparim në ndërtimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.
Duke iu referuar vlerësimeve ndërkombëtare, ai tha se Transparency International e ka ngritur Kosovën për 28 pozita në renditjen për korrupsionin, ndërsa Projekti Botëror i Drejtësisë e rendit të dytën në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit dhe të parën për rendin dhe sigurinë.
Kryeministri foli edhe për rritjen ekonomike, duke theksuar se gjatë kësaj dekade ekonomia e Kosovës është rritur mesatarisht me më shumë se katër për qind në vit.
Ai përmendi edhe masat e ndërmarra nga Qeveria, përfshirë shtesat për fëmijë, mbështetjen për nënat e reja, rritjen e pensioneve dhe pagës minimale, si dhe zgjerimin e shërbimeve publike përmes platformës e-Kosova.
Një pjesë të fjalimit ia kushtoi edhe marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimit rajonal. Kurti kritikoi moszbatimin e pesë marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilat lidhen me lëvizjen e lirë dhe njohjen e kualifikimeve arsimore e profesionale.
Ai tha se mosmarrëveshjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë përparimin në fusha të tjera të reformave dhe integrimit evropian.
Kurti foli edhe për sigurinë në vend, duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, si dhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Varagë të Zubin Potokut, më 29 nëntor 2024.
Sipas tij, këto sulme dëshmojnë se kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës vazhdojnë dhe se përgjegjësia për to është e domosdoshme për të parandaluar sulme të tjera.
Në fund, Kurti shprehu besimin se Irlanda do ta mbështesë Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi evropian mbetet orientim strategjik i vendit.
