Lajme

Hertica: Kosova ta mbajë Banjskën në agjendën ndërkombëtare, Serbia të japë përgjegjësi

Njohësi i çështjeve politike, Ali Hertica, ka komentuar pjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Forumin e Paqes në Paris, duke u ndalur te rëndësia e përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës, procesi i njohjeve, përgjegjësia e Serbisë për sulmin në Banjskë dhe ndikimi i dialogut në zhvillimet politike e të sigurisë në rajon.

Në një prononcim për “Bota sot”, Hertica ka vlerësuar se Forumi i Paqes në Paris përbën një mundësi për bashkëpunim ndërkombëtar dhe promovimin e multilateralizmit, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në diskutimet për çështjet globale dhe rajonale.

Sipas tij, tema e forumit, “From Sovereignty to Cooperation” (Nga sovraniteti te bashkëpunimi), trajton dimensione të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar, ndërsa pjesëmarrja e Kosovës krijon hapësirë për të prezantuar sfidat politike dhe të sigurisë me të cilat përballet vendi.

Hertica ka theksuar se diplomacia e Kosovës duhet të vazhdojë angazhimin për njohjen e pavarësisë nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Megjithatë, ai nuk pret që këto shtete ta pengojnë domosdoshmërisht rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

“Nuk mendoj se pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën do ta pengojnë domosdoshmërisht rrugën e saj drejt integrimit evropian. Këtë e kemi parë edhe në rastin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, kur këto shtete ishin pajtuar me nënshkrimin e saj, pavarësisht se nuk e njihnin pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Hertica.

Ai ka vlerësuar se për të arritur përparim në këtë drejtim, Kosovës i nevojitet angazhim i vazhdueshëm diplomatik, argumentim politik dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që njohja e saj të shihet si kontribut për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.

Duke folur për kërkesën e Kurtit që Serbia të mbajë përgjegjësi për sulmin në Banjskë dhe të dorëzojë Milan Radoiçiqin, Hertica ka thënë se ky rast mbetet një nga çështjet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, gjykimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin, të cilët në prill u dënuan në shkallë të parë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm juridik, por çështja shkon përtej përgjegjësisë individuale të personave të përfshirë në sulm.

Ai ka theksuar se aktakuza e ngritur nga institucionet e drejtësisë në Prishtinë e cilëson Serbinë si sponsorizuese shtetërore të sulmit, ndërsa ka vënë në dukje se organizatori i dyshuar, Milan Radoiçiq, dhe përgjegjësia e pretenduar e shtetit serb mbeten çështje të pazgjidhura.

“Problemi qëndron te fakti se Kosova mund t’i gjykojë dhe dënojë pjesëtarët e grupit të armatosur, ndërsa organizatori i dyshuar, Milan Radoiçiq, dhe përgjegjësia e pretenduar e shtetit serb mbeten jashtë juridiksionit të institucioneve kosovare”, ka deklaruar ai.

Hertica ka kritikuar qëndrimin e Beogradit për këtë rast, duke thënë se refuzimi i Serbisë për të proceduar personat e dyshuar që ndodhen në territorin e saj dhe për t’u angazhuar me provat e paraqitura nga Kosova dëshmon mungesën e gatishmërisë për bashkëpunim.

Për këtë arsye, ai ka vlerësuar se Kosova duhet ta mbajë çështjen e Banjskës në agjendën ndërkombëtare dhe të kërkojë nga partnerët që përgjegjësia për sulmin të mos mbetet vetëm te personat e dënuar në Kosovë.

Dialogu me Serbinë dhe ndikimi në sigurinë e Kosovës

Sa i përket ndikimit të dialogut në zhvillimet e ardhshme politike dhe të sigurisë, Hertica ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të jetë faktor me ndikim në rajon.

Megjithatë, sipas tij, ky proces nuk mund të ndërtohet duke anashkaluar çështjet e sigurisë dhe përgjegjësinë për veprimet që cenojnë sovranitetin e Kosovës.

Ai ka vënë në dukje se rasti i Banjskës dëshmon një asimetri në procesin e dialogut, pasi Kosova mund të ushtrojë drejtësinë ndaj personave që ndodhen në territorin e saj, ndërsa Serbia nuk po ndërmerr hapa për të vënë para drejtësisë të dyshuarit që ndodhen në territorin e saj.

Në këtë kuadër, Hertica ka vlerësuar se kërkesat e Kurtit në Paris për përgjegjësinë e Serbisë dhe dorëzimin e Radoiçiqit duhet të trajtohen në kuadër të një procesi më të gjerë ndërkombëtar.

“Dialogu nuk duhet të kufizohet vetëm në marrëveshje politike, por duhet të përfshijë edhe zbatimin e tyre, respektimin e sovranitetit dhe garantimin e sigurisë në rajon”, ka përfunduar Hertica.

Të Ngjashme