Lajme

Vrasja e Arlinda Zekajt, reagon QPS-ja në Pejë pas raportit të Inspektoratit

Komuna e Pejës ka publikuar sot sqarimin e Qendrës për Punë Sociale lidhur me Raportin e Inspektimit të Jashtëzakonshëm, pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor 2026.

Në këtë reagim, Qendra për Punë Sociale në Pejë ka paraqitur angazhimin institucional dhe veprimet profesionale që thotë se i ka ndërmarrë gjatë trajtimit të rastit, duke theksuar se punonjësit socialë kanë vepruar në kuadër të kompetencave të tyre ligjore.

Sipas sqarimit, QPS-ja kishte reaguar ndaj kërkesës së Stacionit Policor në Pejë, duke angazhuar punonjësin social në kujdestari 24-orëshe. Gjatë intervenimit fillestar ishte zhvilluar bashkëbisedimi me fëmijën dhe ishin vlerësuar rrethanat familjare.

Po ashtu, gjatë menaxhimit të rastit janë realizuar vizita në terren, vlerësime të gjendjes socio-ekonomike dhe takime me prindërit e familjarët.

QPS-ja ka bërë të ditur se kishte kërkuar edhe raporte nga shkolla “The Cambridge School” dhe Qendra e Shëndetit Mendor në Pejë, të cilat kishin shërbyer për vlerësimin e gjendjes emocionale dhe psikologjike të fëmijës.

Në reagim përmendet edhe pjesëmarrja e Qendrës për Punë Sociale në procedurat pranë Gjykatës Themelore në Pejë, ku janë dorëzuar raporte profesionale dhe janë paraqitur vlerësimet e Organit të Kujdestarisë.

Ndërkaq, pas ngjarjes tragjike të 25 tetorit, QPS-ja thotë se kishte ndërmarrë veprime urgjente për sigurimin e mbrojtjes dhe përkujdesjes së fëmijës, në bashkëpunim me Prokurorinë, Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse. Sipas saj, ishte siguruar edhe caktimi i kujdestarit ligjor.

Megjithatë, raporti i Inspektoratit ka evidentuar edhe mangësi që kërkojnë përmirësim në punën e QPS-së.

Ndër çështjet e evidentuara janë plotësimi dhe përdorimi i formularëve standardë për menaxhimin e rasteve, respektimi i afateve për dorëzimin e raporteve dhe dokumentacionit në gjykatë, si dhe përmirësimi i mekanizmave të monitorimit dhe mbikëqyrjes.

Gjithashtu, është kërkuar forcimi i kapaciteteve profesionale dhe njerëzore, si dhe qartësimi i kompetencave dhe përgjegjësive ndërmjet Qendrës për Punë Sociale dhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale.

Lidhur me këto gjetje, QPS-ja ka deklaruar se i trajton me seriozitet rekomandimet e Inspektoratit dhe se do të ndërmarrë masat e nevojshme për zbatimin e tyre.

Në fund të sqarimit, institucioni ka theksuar se vlerësimi i punës së tij duhet të bëhet në mënyrë objektive dhe profesionale, duke marrë parasysh si veprimet e dokumentuara, ashtu edhe çështjet që kërkojnë përmirësim institucional.

Të Ngjashme