Lajme

Zemaj i kundërpërgjigjet Nagavcit: Faktet nuk janë gjuhë fyese, ja për çfarë e akuzon

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i është kundërpërgjigjur shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, duke thënë se kritikat e tij ndaj gjendjes në shëndetësi nuk janë gjuhë fyese, por pasqyrim i realitetit.

Zemaj ka përmendur mungesën e barnave dhe materialeve shpenzuese, tenderët, listat e gjata të pritjes dhe largimin e mjekëve nga Kosova.

Ai më pas ka kritikuar Nagavcin për menaxhimin e Ministrisë së Arsimit, duke përmendur rezultatet e dobëta në testin PISA, si dhe disa raste të pretenduara të parregullsive në tenderë, subvencionimin e librave shkollorë dhe gjetjet e Auditorit.

Në fund, Zemaj ka theksuar se përgjegjësia politike nuk mund të shmanget përmes deklaratave dhe viktimizimit.

Kundërpërgjigja e deputetit Zemaj:

Faktet nuk janë gjuhë fyese, zonja Nagavci.

Ato janë realiteti me të cilin po përballet shëndetësia në Kosovë, e cila është katandisur në gjendjen më të rëndë.

Barnat mungojnë, tenderët për miq e jarana janë shtuar, listat e pritjes janë zgjatur, vdekshmëria e foshnjave është rritur, ndërsa mungesa e materialeve shpenzuese në institucionet shëndetësore është bërë e përditshme. Të mos flasim për numrin gjithnjë e më të madh të mjekëve dhe infermierëve që po largohen jashtë vendit.

Këto janë çështje konkrete që kërkojnë përgjegjësi. E ku t’i shfaqim ne, nëse nuk i themi aty, në Kuvend?

Por thelbi i një problemi të madh tek reagimi juaj nuk është shëndetësia, nuk e ke hallin aty, problemi është se pasojat e keqmenaxhimit tuaj në arsim po i paguan e ardhmja e Kosovës.

Përgjegjësia politike për rezultatet e dobëta të Kosovës në testin PISA dhe aferat në MAShTI nuk mund të shmangen me deklarata dhe viktimizim.

Ja disa raste konkrete të raportuara në media dhe dokumente të institucioneve të Kosovës lidhur me Ministrinë e Arsimit gjatë mandatit tuaj.

Disa prej tyre janë fakte kokëforta, sepse përfshijnë aktakuza, gjetje të Auditorit dhe kallëzime penale.

* Aktakuza për tenderët me çmime deri në 1,557% më të larta.

* Subvencionimi i librave shkollorë – rreth 60 mijë euro parregullsi të evidentuara.

* Rritja e shpenzimeve për libra nga 6 milionë euro në vitet 2016–2017 në 19 milionë euro në vitet 2022–2023.

* Zyra Kombëtare e Auditimit kishte evidentuar rreth 60,000 euro parregullsi në 22 shkolla lidhur me subvencionimin e librave gjatë vitit 2024.

* Gjetjet e Auditorit për vitin 2025:

* 225,570 euro në tetë pagesa ishin nënshkruar nga person i paautorizuar.

* 3,287,630 euro shpenzime ishin regjistruar në kategori ekonomike jo adekuate.

* Kallëzimi penal për tekstet shkollore – rasti Luarasi, gusht 2023. Me pretendimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim dokumentesh dhe për procedurat e konkurseve për tekstet shkollore.

* Shkelja e Kushtetutës – rasti i Komunës së Kamenicës (2021–2022)

* Shkelje ligjore ndaj drejtorit të Inspektoratit të Arsimit (2022) Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, 31 gusht 2022,

Lista vazhdon…..

P.S. Përndryshe, pa humbur subjektivitetin tim, unë njihem si njëri ndër deputetët më bashkëpunues në Kuvendin e Kosovës, përjashtim bëj për ata të cilët kam dyshime se në të kaluarën i kanë bërë keq vendit.

Të Ngjashme