“Hapi jetik i radhës është anëtarësimi në NATO, për të cilin Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të jetë e gatshme në vitin 2028. Amerikanët do të duhet t’i bindin katër vendet anëtare të NATO-s që ende nuk e njohin Kosovën ta pranojnë atë. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk duhet të vonojë shumë më pas, me kusht që qeveria e ardhshme të angazhohet seriozisht për zbatimin e legjislacionit të harmonizuar me BE-në, të cilin Kuvendi tashmë e ka miratuar.”, kështu ka deklaruar profesori amerikan, Daniel Serwer.
Serwer në një reagim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se me anëtarësimin në NATO dhe në BE, Kosovës nuk do t’i interesojë shumë mungesa e anëtarësimit në OKB, gjë që nuk pritet të ndodhë derisa Rusia dhe Serbia të përjetojnë një ringjallje demokratike, diçka që sot është e vështirë të imagjinohet.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO, u bë kryefjalë edhe me mbajtjen e samitit të NATO-s, në Turqi.
Kryeministri i Holandës, Rob Jetten, të martën ka shprehur mbështetjen e tij për të ardhmen evropiane të Kosovës.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Kosova do të bëhet një ditë pjesë e NATO-s, Jetten ka thënë se shpreson për një gjë të tillë.
“Unë shpresoj që Kosova do të bëhet pjesë e familjes evropiane një ditë.”, ka thënë kryeministri holandez.
FSK e gatshme, duhet lobim

Arben Dashevci
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, për “Bota sot” thotë se duhet lobim diplomatik.
Sipas tij, FSK është e gatshme qysh tash për çfarëdo misioni paqeruajtës në botë.
“Unë mendoj që vet Kosova si shtet me SHBA si partner strategjik duhet t’i bindin katër vendet anëtare të NATO-s që ende nuk e njohin Kosovën ta pranojnë atë. Faktet janë andaj nevojitet lobim diplomatik. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk duhet të vonojë shumë më pas, sepse kjo punë e madhe është arritur me meritë dhe punë profesionale, pjesëmarrje në misione paqeruajtëse. Aty ku është kërkuar ndihma mu aty ka qenë FSK, është e gatshme mendoj unë qysh tash për çfarëdo misioni paqeruajtës në botë, mu si në misionet në ishujt Faklland, Turqi, Belize, Gjibraltar, Shqipëri dhe tash me misionin e udhëhequr nga SHBA në Gaza etj.”, shprehet Dashevci për “Bota sot”.
Roli i SHBA-së për bindjen e katër vendeve të NATO-s që ende nuk e njohin Kosovën, sipas Dashevcit, është vendimtar.
Ai konsideron se anëtarësimi në NATO do ta përshpejtonte edhe rrugën e Kosovës drejt BE-së.
“Është realiste dhe shans i artë që Kosova të anëtarësohet në NATO deri në fillim vitin 2028 duke pasur parasysh samitin e fundvitit 2027 që mbahet në Shqipëri, kjo është shans i madh për vendin tonë, por politika dhe diplomacia jonë duhet të jetë shumë më aktive në lobim, duhet t’i bind vendet mos njohëse në bashkëpunim me SHBA- të dhe partnerët strategjikë. Duhet t’i kemi institucionet stabile dhe jo të kemi zgjedhje çdo 6 muaj, duhet strategji dhe konsolidim, qëndrueshmëri institucionale. Roli i Shteteve të Bashkuara në bindjen e katër vendeve të NATO-s që ende nuk e njohin Kosovën është krucial, vendimtarë mendoj unë. Anëtarësimi në NATO do ta përshpejtonte automatikisht edhe rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe këtu nuk ka dyshime sepse kur je nën ombrellën e sigurisë kolektive që quhet NATO, automatikisht do ishim edhe pjesë e vendeve 27 anëtare të BE- së, kemi përvojën, janë këtu me misionet e tyre dhe është lehtësim kur janë të dislokuara tash e 26 vite në vendin tonë”, thekson eksperti i sigurisë.
Rëndësia, pengesat dhe detyrimet për anëtarësim në NATO dhe BE
Politologu shqiptar në Bruksel, Ramadan Gjanaj, në një bashkëbisedim me “Bota sot” objektivin që Kosova të anëtarësohet në NATO deri në vitin 2028 e konsideron ambicioz, por nuk e përjashton.

Ramadan Gjanaj
Sipas tij, anëtarësimi në NATO nuk varet vetëm nga kriteret teknike apo ushtarake.
Pengesat kryesore, sipas Gjanajt, janë politike.
“Objektivi i vitit 2028 është ambicioz, por nuk mund të përjashtohet plotësisht. Nga aspekti ushtarak, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdon procesin e transformimit dhe, sipas autoriteteve të Kosovës, pritet t’i arrijë kapacitetet e saj të plota operative deri në atë periudhë. Megjithatë, anëtarësimi në NATO nuk varet vetëm nga kriteret teknike apo ushtarake. Pengesat kryesore janë mbi të gjitha politike. Së pari, katër shtete anëtare të NATO-s – Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia – ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Përderisa kjo situatë vazhdon, arritja e konsensusit të domosdoshëm brenda Aleancës do të mbetet e vështirë. Por ekziston edhe një kufizim më themelor. NATO është një aleancë e sigurisë kolektive e ndërtuar mbi nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit. Për këtë arsye, Aleanca heziton natyrshëm të pranojë një shtet, statusi i të cilit vazhdon të kontestohet nga fqinji i tij i drejtpërdrejtë dhe ku disa çështje që lidhen me sovranitetin mbeten ende të hapura. Kosova nuk ndodhet në të njëjtën situatë me Ukrainën, e cila është në luftë, por ajo vazhdon të përballet me një mosmarrëveshje politike të pazgjidhur me Serbinë. Kjo pasiguri i shtyn disa aleatë të tregojnë kujdes”, deklaron Gjanaj për “Bota sot”.
Qëllimi i NATO-s dhe BE-së, sipas Gjanajt, është të integrojnë shtetet që forcojnë stabilitetin e organizatës dhe të shmangin sa është e mundur importimin e konflikteve ose mosmarrëveshjeve territoriale të pazgjidhura.
Sipas Gjanajt, nuk bëhet fjalë vetëm për mosmarrëveshje kufitare.
“Në një kuptim më të gjerë, si NATO ashtu edhe Bashkimi Evropian kanë ndjekur prej dekadash një logjikë që mund të përmblidhet me parimin “stability first”. Qëllimi i tyre është të integrojnë shtete që forcojnë stabilitetin e organizatës dhe të shmangin, sa të jetë e mundur, importimin e konflikteve ose mosmarrëveshjeve territoriale të pazgjidhura. Rasti i Gjeorgjisë dhe ai i Ukrainës para vitit 2022 e ilustrojnë qartë këtë qasje. Edhe rasti i Kroacisë është domethënës. Negociatat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian u bllokuan nga Sllovenia për shkak të mosmarrëveshjes kufitare mes dy vendeve. Vetëm pas nënshkrimit të marrëveshjes për arbitrazh në vitin 2009, Sllovenia hoqi veton, duke i hapur rrugë Kroacisë që të përfundonte negociatat dhe të anëtarësohej në BE në vitin 2013. Bashkimi Evropian nuk kërkonte domosdoshmërisht zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes, por donte garanci se ekzistonte një mekanizëm i besueshëm që ajo të mos shndërrohej më vonë në një problem të brendshëm të Unionit. Kosova sot ndodhet përballë një sfide edhe më komplekse. Nuk bëhet fjalë vetëm për një mosmarrëveshje kufitare, por për faktin se statusi i saj vazhdon të kontestohet nga fqinji i saj kryesor, Serbia, si edhe nga disa shtete anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Pikërisht këtu, sipas mendimit tim, qëndron pengesa kryesore për një anëtarësim të shpejtë”, shprehet politologu.
I pyetur sesa vendimtar do të ishte roli i Shteteve të Bashkuara për t’i bindur katër vendet anëtare të NATO-s që ende nuk e njohin Kosovën, Gjanaj shprehet se padyshim që është vendimtar, por jo mjaftueshëm në vetvete.
Pa zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, Gjanaj, thotë se Uashingtoni do ta ketë të vështirë t’i bindë disa aleatë se konteksti rajonal është mjaftueshëm i stabilizuar për të ndërmarrë një hap të ri, siç do të ishte anëtarësimi i Kosovës në NATO
“Roli i Shteteve të Bashkuara do të ishte padyshim vendimtar, por ndoshta jo i mjaftueshëm në vetvete. Uashingtoni mbetet aktori me ndikimin më të madh politik dhe strategjik brenda Aleancës. Nëse Shtetet e Bashkuara do ta konsideronin anëtarësimin e Kosovës si prioritet strategjik, aftësia e tyre për të bindur aleatët do të ishte shumë e madhe. Megjithatë, secili prej katër shteteve që nuk e njohin Kosovën ka arsyet dhe kufizimet e veta të politikës së brendshme. Spanja vazhdon të jetë shumë e ndjeshme për shkak të çështjes së Katalonjës. Rumania dhe Sllovakia mbeten të kujdesshme për çështjet që lidhen me pakicat kombëtare, ndërsa Greqia, ndonëse ka zhvilluar marrëdhënie shumë më konstruktive me Kosovën gjatë viteve të fundit, ende nuk e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e saj. Megjithatë, duhet marrë parasysh edhe një element tjetër thelbësor. Do të ishte e vështirë që Shtetet e Bashkuara të investonin kapital të madh diplomatik për të bindur këto katër vende, nëse në të njëjtën kohë Prishtina dhe Beogradi nuk japin sinjale të qarta se janë të gatshëm të zbatojnë angazhimet që kanë pranuar vetë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Uashingtoni”.
“Prej disa vitesh, administratat amerikane kanë theksuar vazhdimisht se Marrëveshja e Brukselit dhe sidomos Marrëveshja e Ohrit nuk janë thjesht deklarata politike, por angazhime që duhet të zbatohen nga të dyja palët. Përderisa zbatimi i tyre mbetet i bllokuar, do të jetë e vështirë që Uashingtoni t’i bindë disa aleatë se konteksti rajonal është mjaftueshëm i stabilizuar për të ndërmarrë një hap të ri, siç do të ishte anëtarësimi i Kosovës në NATO. Me fjalë të tjera, aftësia e Shteteve të Bashkuara për të ushtruar ndikim diplomatik varet edhe nga kredibiliteti i vetë palëve. Sa më shumë që Kosova dhe Serbia të dëshmojnë se janë të gatshme t’i respektojnë angazhimet që kanë marrë dhe të ecin përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve, aq më të forta do të jenë argumentet e Uashingtonit për t’i bindur shtetet ende hezituese. Shtetet e Bashkuara mbeten mbështetësi kryesor strategjik i Kosovës. Por pikërisht sepse e mbështesin Kosovën, ato presin gjithashtu që udhëheqësit e saj të dëshmojnë besueshmëri duke respektuar angazhimet ndërkombëtare që kanë pranuar vetë. Në diplomacinë amerikane, mbështetja politike zakonisht shoqërohet edhe me pritjen që partnerët të jenë të parashikueshëm, të besueshëm dhe t’i respektojnë obligimet që kanë marrë përsipër”, shprehet Gjanaj.
Në anën tjetër, anëtarësimi në NATO, sipas Gjanajt, do të krijonte një dinamikë pozitive edhe në raport me procesin e integrimit evropian, por ai thotë se NATO dhe BE ndjekin logjika të ndryshme.
“Nuk do të flisja për një efekt automatik, por është e qartë se një anëtarësim i Kosovës në NATO do të përbënte një sinjal politik jashtëzakonisht të rëndësishëm. Një zhvillim i tillë do ta forconte kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës, do ta konfirmonte orientimin e saj euroatlantik dhe do të dëshmonte se institucionet e saj të sigurisë i përmbushin standardet e Aleancës. Pa dyshim, kjo do të krijonte një dinamikë pozitive edhe në raport me procesin e integrimit evropian. Megjithatë, proceset e anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian ndjekin logjika të ndryshme. Bashkimi Evropian nuk vlerëson vetëm aspektin e sigurisë. Ai shqyrton gjithashtu funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, reformat ekonomike dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Mbi të gjitha, Kosova vazhdon të përballet me një pengesë shtesë: pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e saj. Përderisa kjo çështje nuk gjen një zgjidhje graduale, anëtarësimi do të mbetet, para së gjithash, një vendim politik. Ashtu si NATO, edhe Bashkimi Evropian synon të integrojë shtete, mosmarrëveshjet kryesore gjeopolitike të të cilave janë mjaftueshëm të stabilizuara. Logjika e të dyja organizatave është të eksportojnë stabilitet dhe jo të importojnë konflikte. Kosova nuk është në luftë, por statusi i saj ndërkombëtar vazhdon të kontestohet pjesërisht, ndërsa procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë ende nuk ka arritur një përfundim të qëndrueshëm. Në këtë kuptim, mendoj se është e rëndësishme të mos ngatërrohet shkaku me pasojën”, thekson politologu.
Anëtarësimi në NATO nuk do të ishte pika e nisjes së normalizimit, shton Gjanaj, por më tepër rezultat i një procesi stabilizimi që tashmë ka dhënë prova konkrete.
Ai zbatimin gradual të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit e sheh përparim të duhur.
“Shpesh dëgjohet argumenti se anëtarësimi në NATO do ta lehtësonte më pas normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në praktikë, logjika e Aleancës dhe e Bashkimit Evropian duket të jetë e kundërta: është përparimi i besueshëm në procesin e normalizimit ai që e bën më të mundshëm anëtarësimin. Me fjalë të tjera, anëtarësimi në NATO nuk do të ishte pika e nisjes së normalizimit, por më tepër rezultat i një procesi stabilizimi që tashmë ka dhënë prova konkrete. Prandaj, një zbatim gradual i Marrëveshjes së Brukselit dhe i Marrëveshjes së Ohrit, së bashku me përparimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do ta forconte dukshëm pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe do t’ua lehtësonte partnerëve perëndimorë argumentimin politik në favor të integrimit të saj euroatlantik. Në fund, anëtarësimi në NATO do ta forconte pa dyshim kandidaturën evropiane të Kosovës, por ai nuk do t’i hapte automatikisht dyert e Bashkimit Evropian. Ecuria e dialogut me Serbinë, konsolidimi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe vullneti politik i shteteve anëtare do të mbeten po aq vendimtarë sa edhe përmbushja e kritereve teknike. Në thelb, si NATO ashtu edhe Bashkimi Evropian nuk integrojnë vetëm shtete që përmbushin kriteret teknike. Ato integrojnë mbi të gjitha shtete për të cilat vlerësojnë se mosmarrëveshjet kryesore gjeopolitike janë stabilizuar mjaftueshëm, në mënyrë që të mos shndërrohen në probleme të brendshme të vetë organizatës. Pikërisht ky mbetet, sipas mendimit tim, sfida më e madhe që Kosova duhet të kapërcejë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik”, përfundon Gjanaj për “Bota sot”.
