Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje nga dëshmia e Mustafa Martinajt, babait të Ervis Martinajt, i cili është paraqitur në gjykatë në procesin që lidhet me sekuestrimin e pasurive të familjes.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Lala tha se Mustafa Martinaj ka deklaruar se i biri nuk jeton më dhe ka akuzuar autoritetet se nuk kanë bërë sa duhet për zbardhjen e fatit të tij.
Sipas Lalës, dëshmia e Mustafa Martinajt është fokusuar fillimisht tek burimi i pasurisë së familjes, ku ai ka tentuar të bindë gjykatën se asetet janë krijuar në mënyrë të ligjshme.
“Mustafa Martinaj dëshmoi në procesin që lidhet me sekuestrimin e pasurive ndaj tij dhe Ervis Martinajt. Ai u përpoq të bindte gjykatën se pasuria kishte burime të ligjshme. Tha se kishte punuar fillimisht si zyrtar dhe më pas si biznesmen, kambist dhe në pika këmbimi valutor. Pretendoi se kishte mundësi të mëdha financiare për të justifikuar pasurinë. Por ajo që ra më shumë në sy ishte fakti se ai nuk e shmangu zhdukjen e të birit. Tha se djali i tij nuk jeton më dhe se i vinte turp që pyetej për ‘rrecka dhe beton’, ndërsa askush nuk jepte përgjigje për fatin e Ervis Martinajt. Sipas tij, familja është përsekutuar me 23 kontrolle policore pas zhdukjes së të birit, me dyshimin se ai mund të ishte ende gjallë”, tha ajo.
Gazetarja investigative ngriti gjithashtu akuza të forta ndaj institucioneve ligjzbatuese, duke deklaruar se hetimet për zhdukjen e Ervis Martinajt dhe vrasjen e Brilant Martinajt nuk janë trajtuar siç duhet.
“Kam një kritikë për autoritetet shqiptare, sepse mendoj se nuk kanë bërë mjaftueshëm as për zhdukjen e Ervis Martinajt dhe as për vrasjen e Brilant Martinajt. Jeton Lami ka shkuar në familjen Martinaj dhe është e qartë që nuk ka treguar të vërtetën. Nëse do të kishte folur që në momentet e para, sot ndoshta fati i Martinajt do të ishte zbardhur. Në këtë kuadër, SPAK duhet t’i thërrasë këta persona dhe ta marrë dosjen nga Prokuroria e Lezhës, sepse ajo nuk ka kapacitet për të hetuar një çështje kaq të rëndë. Dyshohet se në zhdukjen e Martinajt janë përfshirë të paktën pesë grupe kriminale”, deklaroi Lala.
Lala tha më tej se aktualisht ekziston një paqartësi juridike për statusin e Ervis Martinajt, pasi për SPAK ai rezulton ende person nën hetim, ndërsa për Prokurorinë e Lezhës konsiderohet i zhdukur. Sipas saj, më pas do të duhet edhe procedura ligjore për shpalljen e tij të vdekur, çka lidhet drejtpërdrejt edhe me çështjet pasurore të familjes Martinaj.
