Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola, po merr pjesë në sesionin vjeshtor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili po mbahet në Strasburg, nga 28 shtator deri më 2 tetor.
“Gjatë këtij sesioni, anëtarët e APKE-së do të shqyrtojnë dhe debatojnë një sërë çështjesh me rëndësi për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në Evropë dhe më gjerë.
Ndër temat kryesore që do të trajtohen gjatë këtij sesioni janë vëzhgimi i zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të 7 qershorit 2026, forcimi i pluralizmit dhe pavarësisë së mediave, si dhe zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në agjendë janë gjithashtu çështje që lidhen me mbështetjen për Ukrainën, rolin e diasporës dhe emigrantëve në kohezionin social dhe angazhimin demokratik si dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në të ardhmen e punës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, Gola do të marrë pjesë në seancën plenare të Asamblesë, në mbledhjet e Grupit Socialist si dhe në takimet e komisioneve përkatëse të APKE-së.
“Në kuadër të punimeve të sesionit, ai pritet të kontribuojë në diskutimet për temat që janë pjesë e agjendës së Asamblesë si dhe gjatë debateve parlamentare.
Në margjinat e sesionit, Gola do të zhvillojë takime me deputetë dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
