Kosova po përballet me një situatë të ndjeshme institucionale, ndërsa afatet për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja po afrohen. Nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet në ditët në vijim, vendi mund të përballet me një tjetër proces zgjedhor.
Analisti politik dhe juristi, Blerim Burjani thotë se, në rast se Kuvendi nuk konstituohet, Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh.
“Në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditëve”, ka deklaruar Burjani, duke theksuar se gjithçka varet nga konstituimi i Kuvendit.
Sipas tij, nëse Kuvendi arrin të konstituohet, atëherë institucionet do të kenë në dispozicion afate të tjera për krijimin e tyre.
“Nëse konstituohet Kuvendi, atëherë 25 ditë janë në dispozicion për t’u zgjedhur Qeveria dhe 60 ditë kohë për t’u zgjedhur presidenti”, është shprehur Burjani.

Blerim Burjani
Ai vlerëson se për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, rruga më e favorshme është që fillimisht të sigurohet konstituimi i Kuvendit dhe më pas të procedohet me formimin e Qeverisë.
“Kurtit i bie mirë me konstitu Kuvendin, pastaj Qeverinë, pastaj ka kohë që presidenti të zgjedhet”, ka thënë Burjani.
Ndërkaq, sipas tij, nëse dështon edhe këtë herë konstituimi i Kuvendit, atëherë vendi nuk do të ketë rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të reja.
“Në të kundërtën, shteti shkon në zgjedhje automatikisht”, ka deklaruar Burjani.
