Lajme

Nesër mbahet protestë në përkrahje të studentëve shqiptarë në Maqedoni

Gjatë ditës së nesërme Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë do të mbajë protestë paqësore në mbrojtje të përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut.

Sipas njoftimit për media protesta do të mbahet para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.

Protesta do të mbahet duke filluar nga ora 14:00.

Njoftimi:

Studentët e Kosovës në mbrojtje të gjuhës shqipe

Të nderuar studentë, qytetarë, profesorë dhe të gjithë ata që besojnë në drejtësi,

Ne, studentët e Kosovës, ju ftojmë t’i bashkoheni protestës paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, për të ngritur zërin kundër cenimit të së drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në të gjitha provimet e tjera shtetërore në Maqedoninë e Veriut.

Gjuha shqipe nuk është privilegj. Ajo është e drejtë e qindra mijëra shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ne besojmë se arsimi, profesioni dhe e ardhmja e të rinjve nuk duhet të pengohen nga barriera gjuhësore të vendosura padrejtësisht. Prandaj, ftojmë të gjithë studentët, organizatat studentore, shoqërinë civile dhe qytetarët që të bashkohen me ne.

5 Qershor,

Para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë,

Ora: 14:00

Të Ngjashme