Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se lufta me Iranin “nuk ka mbaruar” sepse Teherani ende posedon uranium të pasuruar që duhet të hiqet, transmeton Anadolu.
“Mendoj se u arrit një marrëveshje e madhe. Por, nuk ka mbaruar sepse ende ka material bërthamor, uranium të pasuruar, që duhet të nxirret nga Irani”, tha Netanyahu për CBS News në një intervistë me korrespondentin kryesor të Washingtonit, Major Garrett, që u transmetua të dielën.
I pyetur nëse uraniumi do të hiqej me forcë, ai nuk pranoi të diskutonte planet ushtarake. “Do të më bëni këto pyetje. Do t’i shmang ato sepse nuk do të flas për mundësitë, planet apo diçka të tillë ushtarake”, tha ai.
Netanyahu tha se objektivat e fushatës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit përfshijnë çmontimin e infrastrukturës së tij të pasurimit dhe parandalimin e tij nga rindërtimi i rrjeteve të tij të raketave dhe ndërmjetësve.
“Ende ka vende pasurimi që duhet të çmontohen”, tha ai duke shtuar se aftësitë e Iranit ishin degraduar ndjeshëm, por jo të eliminuara. Netanyahu tha se nëse ka marrëveshje, “hyn brenda dhe e heq atë”, duke iu referuar rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit, por nuk pranoi të diskutonte për veprime të mundshme ushtarake.
“Nuk do të flas për mjete ushtarake, por për atë që më ka thënë presidenti (i SHBA-së) (Donald) Trump, ‘Dua të hyj atje’. Nuk do të jap afat kohor për këtë, por do të them se kjo është çështje jashtëzakonisht e rëndësishme”, shtoi ai.
Të shtunën, media izraelite raportoi se Trumpi e siguroi Netanyahun se nuk do të bënte lëshime lidhur me rezervat e uraniumit të Iranit ndërsa Tel Avivi pret hapat e ardhshëm të Washingtonit ndaj Teheranit. Të dielën në mëngjes, Irani dërgoi përgjigjen e tij ndaj planit të fundit të paqes të SHBA-së përmes ndërmjetësve pakistanezë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA të Iranit.
Kundërpropozimi i fundit i Iranit ndaj planit kërkon kompensim nga SHBA-ja dhe thekson sovranitetin e Teheranit mbi Ngushticën e Hormuzit, raportoi sot transmetuesi shtetëror iranian Press TV.
Raporti tha se kërkon gjithashtu t’u jepet fund sanksioneve dhe lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar sulme hakmarrëse nga Teherani kundër Izraelit dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik si dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit pakistanez, por bisedimet në Islamabad dështuan të siguronin një marrëveshje të përhershme. Trumpi më vonë e zgjati armëpushimin pa vendosur afat kohor, duke lejuar që përpjekjet diplomatike të vazhdojnë.
