Lajme

Netanyahu shpall luftë me Hezbollahun, paralajmëron përshkallëzim të sulmeve në Liban

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli është në luftë me Hezbollahun dhe paralajmëroi për intensifikim të sulmeve ushtarake ndaj grupit në Liban, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rriten mes përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare për një marrëveshje paqeje.

Në një video të publikuar në kanalin e tij zyrtar në Telegram, Netanyahu tha se operacionet ushtarake nuk do të ndalen, por përkundrazi do të përshpejtohen.

“Ne nuk do të ndalemi, përkundrazi kërkova të përshpejtojmë. Do t’i intensifikojmë sulmet dhe do ta shtypim Hezbollahun”, u shpreh ai.

Pak minuta pas deklaratës së kryeministrit, ushtria izraelite konfirmoi se kishte ndërmarrë sulme të reja ndaj infrastrukturës së Hezbollahut në Luginën Bekaa të Libanit, si dhe në disa zona të tjera të vendit.

Zhvillimet vijnë në një moment kur Shtetet e Bashkuara dhe Irani po përpiqen të finalizojnë kushtet e një marrëveshjeje që synon uljen e përshkallëzimit të konfliktit në rajon dhe ndalimin e armiqësive që kanë përfshirë Lindjen e Mesme.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet reagimi i Hezbollahut dhe palëve të tjera të përfshira në konflikt.

Të Ngjashme