Aktuale

Nga kamerat e fikura te nofka “Noizy”/ Gazetari raporton detaje: Ja si vepronin bandat kriminale në Shkodër

Një sërë detajesh të dala nga dosjet e fundit të Prokurorisë së Posaçme hedhin dritë mbi mënyrën komplekse të funksionimit të grupeve kriminale në qarkun e Shkodrës.

Nga kamerat e sigurisë që nuk funksionojnë në momente kyçe, tek blerja e zyrtarëve të policisë dhe përdorimi i nofkave të njohura, skema e krimit të organizuar shfaqet e shtrirë dhe e lidhur me strukturat shtetërore.

Gazetari i kronikës, Edison Vatnikaj i ftuar ne nje studio televizive u shpreh se një element thelbësor që ka vështirësuar hetimet është mungesa e pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë në varësi të Bashkisë së Vaut të Dejësit dhe asaj të Shkodrës.

Kur autoritetet kanë kërkuar regjistrimet, tha Vatnikaj, përgjigja zyrtare ka qenë se kamerat nuk i disponojnë pamjet pasi nuk kanë qenë funksionale ose të ndezura.

Ky fakt ngre dyshime të forta për një mosfunksionim të qëllimshëm që synon të favorizojë aktivitetin kriminal. Qarku i Shkodrës, veçanërisht zonat malore si Malësia e Madhe, për Vatnikajn konsiderohet një “zonë e nxehtë” për shkak të terrenit të favorshëm për kultivimin e lëndëve narkotike.

Sipas raporteve të Guardia di Finanza, pjesa më e madhe e parcelave me kanabis të identifikuara nga ajri ndodhen pikërisht në këtë rajon. Më pas, lënda narkotike trafikohet drejt jugut të vendit, duke përdorur pikat e kalimit kufitar për ta dërguar jashtë Shqipërisë.

Gazetari Vatnikaj u shpreh se zbardhja e komunikimeve në aplikacionin e koduar Sky ECC ka zbuluar se bandat kriminale kishin arritur të korruptonin shefa komisariatesh dhe drejtues vendorë.

Këta zyrtarë u viheshin në ndihmë grupeve kriminale duke dekonspiruar operacionet policore, duke u ofruar informacione për lëvizjet e forcave të rendit, apo duke u siguruar të dhëna personale për anëtarët e grupeve rivale me të cilët kishin konflikte të hapura.

Një detaj interesant është përdorimi i nofkës “Noizy” nga kreu i një grupi kriminal, Emiljano Beu, gjatë komunikimeve në Sky ECC. Zgjedhja e emrit të një artisti të njohur mendohet se bëhej për të qenë më lehtësisht i identifikueshëm brenda grupit dhe më i vështirë për t’u lidhur me identitetin e tij real nga hetuesit.

Ky rast nuk ka asnjë lidhje me artistin e mirënjohur, i cili vetë ka qenë viktimë e një vepre penale në vitin 2022, kur një sasi lënde plasëse shpërtheu në një nga bizneset e tij, ngjarje e cila dyshohet se erdhi si pasojë e një konflikti të nisur në rrjetet sociale.

Të Ngjashme