Gjykata Themelore në Prishtinë u caktoi masën e paraburgimit nga një muaj tre të pandehurve, E.B., M.C. dhe R.S., lidhur me një rast të rëndë të trafikimit me njerëz dhe shfrytëzimit seksual të dy të dëmtuarave të mitura.
Gjykata bëri të ditur se e pandehura E.B. dyshohet për veprën penale “Trafikimi me njerëz”. Ajo dyshohet se duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin prindëror, ka mundësuar shfrytëzimin seksual të vajzave të saj të mitura në këmbim të parave apo përfitimeve të tjera materiale.
Ndërsaq, dy të pandehurit e tjerë, M.C. (67-vjeçar) dhe R.S. (70-vjeçar), dyshohen për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke vlerësuar se lënia në liri e të dyshuarve paraqet rrezik real për arratisje, ndikim tek të dëmtuarat e mitura si dhe përsëritje të veprave penale.
