Aktuale

Ngjarje e rëndë, të burgosurit i vendosin flakën qelisë, raportohet për 7 të plagosur

Një incident i rëndë është regjistruar në një burg në Kretë të Greqisë, ku katër të burgosur kanë shkaktuar zjarr brenda qelive, në shenjë proteste ndaj refuzimit të kërkesës së tyre për transferim.

Ngjarja ka ndodhur në institucionin e paraburgimit në Agia Chania, ku sipas autoriteteve, të burgosurit kishin kërkuar të zhvendoseshin në një sektor tjetër për shkak të konflikteve me të dënuar të tjerë. Kërkesa e tyre nuk u pranua menjëherë, pasi drejtuesit e burgut u kishin bërë me dije se do të shqyrtohej pas procedurës së numërimit.

Në këto kushte, katër të burgosurit reaguan duke i vënë flakën një dysheku brenda qelisë, duke krijuar tym të dendur dhe rrezik për përhapjen e zjarrit. Gardianët ndërhynë menjëherë, hapën qelinë dhe neutralizuan flakët me mjete zjarrfikëse.

Si pasojë e incidentit, të burgosurit u transportuan në spitalin e Hanias për ndihmë mjekësore, ndërsa edhe tre efektivë të burgut u trasporturuan gjithashtu në spital për asfiksi. Raportohet se, të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërhyrja e shpejtë e stafit shmangu përhapjen e zjarrit në qelitë e tjera dhe parandaloi pasoja më të rënda. Autoritetet kanë nisur procedura penale dhe disiplinore ndaj të përfshirëve në këtë ngjarje.

Të Ngjashme