Profesori Artan Nimani ka shprehur shpresën se takimi i sotëm ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të përfundojë me një rezultat pozitiv dhe me një propozim konkret për presidentin e ri të Kosovës.
Nimani, duke folur në emisionin “Ditari” ka uruar që Vetëvendosje dhe LDK-ja të arrijnë një marrëveshje për një kandidat për president, megjithëse është shprehur skeptik se do të sigurohen 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e tij ose të saj.
“Unë do të doja që të dalin optimist nga takimi dhe me një propozim, megjithëse nuk besoj që do t’i arrijnë 80 vota. Sikur të donte LVV-ja ta zgjidhte vërtetë presidentin, atëherë do të sillej ndryshe me Aleancën dhe me PDK-në. Që me tejkalu krizën po shihet që e ka zgjedhur LDK-në me qëllim që ta dëmtojë edhe më tepër në vetvete, për asgjë tjetër”, ka deklaruar Nimani.
Ai ka vlerësuar pjesëmarrjen e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, në takimin e sotëm, duke e cilësuar atë si një njohës të mirë të çështjeve politike.
“Më gëzon fakti që në takim është edhe Haziri, për shkak se është një nga themeluesit e LDK-së dhe njohës i mirë i këtyre çështjeve. Por nuk e di se cili do të jetë disponimi, përderisa në takim janë Vjosa me Albinin, të cilët për mua janë treguar si e keqja e vendit për pesë vitet e kaluara. Shpresoj që do të dalin me ndonjë emër të përveçëm, pasi ka pasur disa emra të përmendur, edhe pse të gjithë nga ata nuk janë treguar të gatshëm që ta marrin pozitën e të parit të shtetit”, ka thënë ai.
Ndryshe, takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut ka nisur rreth orës 18:00 dhe në fokus të tij është gjetja e një emri konsensual për presidentin e ri.
Para takimit, Kurti deklaroi se palët do të jenë të hapura për procesin, por kërkoi që përmbajtja e diskutimeve të mbetet konfidenciale deri në arritjen e një marrëveshjeje.
“Do të jemi të hapur karshi juve sa i përket procesit, por deri kur të kemi marrëveshje na duhet ta ruajmë konfidencialitetin e bisedimeve. Unë gjithmonë pres më të mirën, prandaj edhe me vullnet të mirë po shkojmë në takim sot”, u shpreh Kurti.
Në takim, përveç Abdixhikut, janë edhe ish-presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
